FMN vlerëson masat rregullatore të AMF e gjatë vitit pandemik

TIRANË, 10 qershor/ATSH/ Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerëson masat rregullatore të Autoriteti të Mbikëqyrjes Financiare gjatë vitit pandemik.

Kjo u bë e ditur gjatë një takimi të drejtorit të Përgjithshëm i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Ervin Mete me drejtuesen e misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar për Shqipërinë, Yan Sun.

Sipas zyrës së shtypit të AMF-së, gjatë takimit u diskutua mbi ecurinë e tregjeve nën mbikëqyrjen e Autoritetit, efektet e pandemisë përgjatë vitit të kaluar, si edhe treguesit kryesorë financiarë.

Kreu i AMF-së, Mete theksoi se tregjet financiare jobankare përgjithësisht u rezistuan efekteve të pandemisë, ndërsa treguesit e muajve të parë të vitit 2021 sugjerojnë rikthimin në normalitet, duke shënuar rritje të të ardhurave dhe aseteve neto.

Mete e informoi drejtuesen e misionit të FMN-së për Shqipërinë në lidhje me veprimtarinë e Autoritetit në drejtim të plotësimit të kuadrit ligjor e rregullator për tregjet nën mbikëqyrje.

Ai u shpreh se miratimi së fundmi nga Kuvendi i ligjit “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”, si edhe ligjet e tjera të miratuara vitin e kaluar “Për tregjet e kapitalit” dhe “Për sipërmarrjet e investimeve kolektive” përafrojnë kuadrin ligjor me direktivat europiane.

Drejtuesja e misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Yan Sun vlerësoi rolin dhe masat rregullatore të ndërmarra nga Autoriteti përgjatë vitit pandemik, në funksion të garantimit të stabilitetit financiar dhe ruajtjes së treguesve financiarë të shoqërive të tregjeve nën mbikëqyrje. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.