TIRANË, 8 qershor/ATSH/ Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka hartuar projektligjin “Për zhvillimin e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme”, me qëllim rritjen e mbështetjes së biznesit për të forcuar konkurrueshmërinë e tyre dhe zhvillimin ekonomik të vendit.
Deri më sot, ka patur një interes të ulët në skemat e bashkëfinancimit të AIDA-s, për shkak të mungesës së informacionit nga bizneset, mënyrës së aplikimit e cila ka qenë nëpërmjet postës dhe jo në formë elektronike, mungesës së shërbimeve mbështetëse për biznesin etj.
Për këtë nga MFE është vlerësuar shumë i nevojshëm rishikimi i kuadrit ligjor për mbështetjen e ndërmarrjeve për të qenë koherent me nevojat e tij.
Objektivat dhe rezultatet e synuara të projekt aktit janë rritja e mbështetjes për ndërmarrjet e vogla e të mesme me 50 %, rritja e aplikimeve për teknologji të reja nga zero aktualisht në 50 % brenda vitit 2022, rritja çdo vit e numrit të ndërmarrjeve të reja, numrit të të punësuarve si edhe futja e instrumenteve të reja financiare me 10 % si dhe rritja e shkallës së përthithjes së granteve me 100 % nga bizneset.
Ndërmarrjet klasifikohen në mikrondërmarrje, ndërmarrje të vogla dhe ndërmarrje të mesme, në vijim NMVM. Kategoria e mikrondërmarrjeve dhe ndërmarrjeve të vogla e të mesme (NMMV) përfshin ato ndërmarrje, ku punësohen më pak se 250 veta dhe që realizojnë një shifër afarizmi dhe/ose një bilanc total vjetor jo më të madh se 250 milionë lekë.
Në këtë projekt akt janë llogaritur si kosto për buxhetin e shtetit kostot e parashikuara në Strategjinë e Zhvillimit të Biznesit dhe Investimeve 2021-2027, për mbështetjen e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme, në formën e mbështetjes financiare (grante) dhe shërbime mbështetëse (trajnim, këshillim).
Në vitin e parë janë parashikuar kosto gjithsej 13 milionë lekë, e cila përfshin organizimin e webinareve për zhvillimin e “e-business”, krijimin e Sektorit të Trajnimeve pranë AIDA me 3 punonjës të rinj në strukturën e AIDA, zhvillimin e sistemit të parashikimit të aftësive për bizneset.
Në vitin e dytë janë parashikuar kosto gjithsej 99 milionë lekë, e cila përfshin krijimin e portalit për zhvillimin e e-business (nga AIDA), i cili do të ndihmojë bizneset në përzgjedhjen e formave më të mira të tregtisë elektronike dhe të biznesit elektronik (“e-commerce” dhe “e-business” solutions), grante për ofrimin e trajnimeve dhe mbështetje financiare për ndërmarrjet e sapokrijuara, grante për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme, si edhe hartimin e raporteve vjetore për parashikimin e nevojave për aftësim nga bizneset.
Duke filluar nga viti i tretë deri në vitin e dhjetë janë parashikuar kosto gjithsej 93 milionë lekë, të cilat përfshijnë dhënien e mbështetjes financiare (grante) si edhe shërbime mbështetëse për biznesin.
Ekonomia shqiptare është e fokusuar kryesisht në aktivitetin tregtar, fenomen i cili vihet re edhe në ndërmarrjet e regjistruara gjatë vitit 2020. Regjistrimet e reja numërojnë 22,1 % të ndërmarrjeve tregtare.
Rreth 90,0 % e ndërmarrjeve aktive janë ndërmarrje të vogla me 1-4 të punësuar dhe kontributi i tyre në punësim llogaritet në 26,4 %.
/r.e/






















