Basha: Kurrë më parë në 30 vite demokraci, përmasat e masakrave zgjedhore nuk kanë qenë të tilla si të 25 prillit

TIRANË, 8 qershor /ATSH/ Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike, Lulzim Basha zhvilloi sot takime me demokratë të degëve 6 dhe 16 në Tiranë, si dhe me demokratë në Shijak.

Gjatë takimit në Tiranë, Basha u shpreh se, “kurrë më parë në 30 vite demokraci, me gjithë krizat e saj, përmasat e masakrave zgjedhore nuk kanë qenë të tilla si të 25 prillit, qoftë në volumin e të keqes, qoftë blerje votash, dhunim, shantazh, kërcënim, shpunësim, qoftë në katalogun e padrejtësive, duke filluar nga rikthimi në jetë i praktikave të Sigurimit të Shtetit përmes vjedhjes dhe përdorimit të të dhënave personale”.

“Më 25 prill përkohësisht përmes këtyre mekanizmave është ndalur aspirata e shumicës dërrmuese të shqiptarëve për ndryshim. Më 25 prill përkohësisht ka rënë demokracia, ka rënë demokracia dhe këtë duhet ta themi me gojën plot, sepse demokraci nuk është një koncept abstrakt, por është vullneti i shumicës. Kur vullnetit të shumicës i mbivendoset dhuna, tjetërsimi, mekanizmat e shtetit, të bandave, të pakicës, atëherë nuk ka demokraci”, tha Basha.

“25 prilli nuk ka sjellë asnjë zgjidhje për Shqipërinë, nuk i është përgjigjur asnjë pyetjeje të shqiptarëve. I ka zmadhuar dilemat dhe pikëpyetjet që ata kishin, i ka bërë dhe më të mëdha dhe më të thella plagët e para 25 prillit”, theksoi Basha.

“Njësoj si 31 marsi i ’91, 25 prilli ishin zgjedhje pa zgjidhje. Tani në këtë stacion duhet të kemi vetëdije se barra jonë është e dyfishtë. Akoma ne mbajmë mbi supe barrën për ndryshim. Ndryshimin për të cilën shqiptarët votuan që e deshën më 25 prill dhe e duan sot akoma më shumë. Por tani më edhe barrën për të luftuar për demokracinë përkohësisht të asgjësuar më 25 prill. Beteja për demokraci kërkon kurajo, kërkon vetëdije, kërkon bashkim, kërkon besim tek njëri-tjetri, kërkon ta organizojmë atë shumicë të cilës më 25 prill i është imponuar pakica. Dhe këtë mund ta bëjmë dhe do ta bëjmë duke qëndruar të bashkuar, duke ruajtur vetëdijen për atë çfarë arritëm më 25 prill përkundër masakrës zgjedhore, duke treguar gatishmërinë për të përmirësuar, korrigjuar, shtuar ato që ka nevojë dhe që janë në dorën tonë t’i bëjmë. Dhe mbi të gjitha duke mos harruar se në betejën dhe në rrugën që na pret kyçi i suksesit do të jetë nëse do të jemi në gjendje përsëri t’i marrim me vete shqiptarët dhe t’i bindim se beteja që do të vazhdojmë deri në fund po bëhet për ta dhe jo për karriget tona”, u shpreh Basha.

Ndërsa në takimin me demokratë të Shijakut, Basha u shpreh se “këtu në Shijak përballja ka qenë njësoj si në të gjithë Shqipërinë, me fenomenin e shtetit të bërë njësh me partinë. Ajo që i vuri kapakun në Shijak e në Durrës, për një javë shpërndanë 89 herë më shumë lekë për dëmet e tërmetit sesa ç’kishin shpërndarë në 15 muaj”.

“Gjithësecili prej jush të çohet këtu dhe të përshkruajë me penelata shumë më të ndezura, se e keni parë me sytë tuaja se çfarë ka ndodhur në Shijak, se çfarë ka ndodhur në Durrës dhe në gjithë Shqipërinë. Prandaj termi masakër zgjedhore është minimumi. Në fakt më 25 prill është vrarë demokracia”, tha Basha. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.