KOPENHAGË-BERLIN-PARIS, 1 qershor /ATSH-DPA/ – Berlini dhe Parisi kërkuan shpjegime në Kopenhagë pas një raporti se autoritetet daneze ndihmuan Agjencinë e Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (NSA) që të përgjonte disa nga politikanët e tyre të nivelit të lartë.
“Unë dua të them që kjo është e papranueshme midis aleatëve. Kjo duhet të jetë e qartë”, theksoi presidenti francez, Emmanuel Macron pas një takimi të Këshillit Franko-gjerman të Ministrave.
Kancelarja gjermane Angela Merkel, e cila ishte përgjuar, tha se ajo ”ishte dakord me citimin e Macron”.
Macron bëri thirrje për “transparencë të plotë dhe zgjidhjen e çështjes nga partnerët tanë danezë dhe amerikanë”.
Dje, qeveria daneze u distancua nga disa praktika spiunazhi, pasi gazetarët investigues raportuan se Danimarka thuhet se mbështeste përgjimin e SHBA të politikanëve të lartë europianë rreth një dekadë më parë.
“Përgjimi sistematik i aleatëve të ngushtë është i papranueshëm”, deklaroi ministrja daneze e Mbrojtjes, Trine Bramsen.
Merkel tha se ishte “lehtësuar” që qeveria daneze ka shprehur qartë qëndrimin e saj ndaj akuzave.
“Në këtë drejtim, unë shoh një bazë të mirë jo vetëm për zgjidhjen e çështjes, por edhe për ndërtimin e vërtetë të marrëdhënieve të besimit”, shtoi ajo.
Gazetarët investigativë nga transmetuesi danez DR, së bashku me mediat gjermane si NDR, WDR dhe ”Sueddeutsche Zeitung”, zbuluan se NSA dyshohet se përgjoi telefonët e politikanëve kryesorë me ndihmën e softuerit të krijuar nga shërbimi i inteligjencës ushtarake daneze, FE.
Përveç Merkelit, politikanë të tjerë gjermanë në shënjestër ishin edhe presidenti Frank-Walter Steinmeier si dhe udhëheqës nga Franca, Suedia dhe Norvegjia./ /os/























