TIRANË, 27 maj/ATSH/ Në Ditën Ndërkombëtare të Urgjencës Mjekësore, kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj vlerësoi kontributin e mjekëve, infermierëve dhe personelit mbështetës në 14 muaj pandemi.
“Sot do të ishim të shpërndarë në sheshe, shkolla dhe institucione për të demonstruar si të ndihmojmë çdo person në rrezik jete! Pas 14 muajsh pandemie ne jemi këtu në front si mjekë, infermierë dhe personel mbështetës! Njerëz të thjeshtë dhe profesionistë, që në një nga periudhat më dramatike të historisë së fundit janë bërë “heronjtë” e rinj për të gjithë ne. Heronjë që u përballën me shumë të papritura”, tha Brataj.
Brataj tha se “ata kanë si qëllim dhe mision, mbrojtjen dhe kujdesin për mijëra pacientë”.
“Këta heronj që prej marsit të 2020 dhe aktualisht vazhdojnë të luftojnë kundër një armiku të padukshëm dhe shumë të rrezikshëm siç është COVID–19 dhe të gjitha llojet e urgjencave të tjera që kërcënojnë jetën e qytetarëve”, tha ai.
Dita Botërore e Mjekësisë së Urgjencës festohet çdo vit më 27 maj, ditën kur në Londër në vitin 1994, një grup Mjekësh Urgjence nënshkruan aktin themelues të Shoqatës Europiane për Mjekësinë e Urgjencës.
“Një specialitet i ri, për të siguruar të gjithë qytetarët e kontinentit të vjetër, një përgjigje profesionale, në kohë, në çdo gjendje shëndetësore akute, në të vërtetë emergjente: ky ishte qëllimi që ne i kishim vendosur vetes atë ditë. Dita Botërore e Urgjencës Mjekësore, është: “Çdo ditë ne jemi gjithmonë aty për ju!”, shtoi Brataj. /m.m/j.p/























