BRUKSEL, 26 maj /ATSH-AFP/ – Komisioni Europian riforcoi rregullat kundër informacioneve të rreme dhe dezinformimit në internet duke propozuar angazhime të reja për Facebook, Google, Twitter dhe të gjitha platformat e tjera digjitale.
“Dezinformimi nuk mund të vazhdojë të jetë një burim të ardhurash. Ne kemi nevojë për angazhime më strikte nga ana e platformave në internet, nga i gjithë ekosistemi publicitar dhe rrjeti i kontrollorëve të fakteve”, theksoi komisioneri i Tregut të Brendshëm, Thierry Breton, duke prezantuar “kodin e praktikave të mira për dezinformimin” nënshkruar në 2018 nga Google, Facebook, Twitter, Microsoft dhe së fundi nga TikTok.
Brukseli u kërkoi platformave të marrin përgjegjësitë e tyre dhe të bashkëpunojnë në mënyrë më efikase.
Ideja është që ata të shkëmbejnë informacione mbi reklamat e refuzuara, në mënyrë që të bllokojnë menaxherët në të gjitha kanalet virtuale të transmetimit.
Për më tepër, Brukseli dëshiron që ata të bëjnë publike masat e marra për të zvogëluar efektet e manipulimit të informacionit.
“Ne kemi nevojë për një kod të ri të forcuar sepse platformat në internet përballen me rreziqet e vazhdueshme që lidhen me shërbimet e tyre dhe amplifikimin algoritmik, jo vetëm kontrollin e tyre”, theksoi komisionerja e Drejtësisë, Vera Jourova./ /ec/






















