Ballina Ekonomi

Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme/ Kadia: Po hartojmë një paketë ligjore të plotë për mbështetjen e tyre

TIRANË, 25 maj/ATSH/ Ministria e Financave dhe Ekonomisë po harton një ligj të ri për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM).

Zëvendësministri i Financave dhe Ekonomisë, Besart Kadia deklaroi sot se nisma ka si qëllim ofrimin e një pakete ligjore të plotë të ndërmarrjeve, të cilat për nga dimensioni dhe karakteristikat kanë nevojë për mbështetje financiare dhe shërbime mbështetëse.

“Në këtë mënyrë, ndërmarrjeve do t’u ofrohet ndihmë direkte dhe falas e në mënyrë të vazhdueshme, e cila nëse përthithet në mënyrën e duhur nga ana e bizneseve do të arrijnë të kenë një rritje të shpejtë dhe një impakt domethënës në rritjen ekonomike dhe punësimin, ashtu si dhe risi inovative të ndjeshme në mjedisin e biznesit”, deklaroi Kadia.

Deklarata e zv.ministrit Kadia u bë gjatë një takimi për prezantimin e platformës “Aksesi në Financë”. Kjo platformë është mundësuar me mbështetjen e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe bashkëpunimin e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA).

Platforma ka për qëllim të ndihmojë sipërmarrjet shqiptare, të cilat duan të zgjerojnë dhe investojnë në aktivitetin e tyre duke përfituar nga mundësitë financiare që tregu ofron, me grante, kredi ose nisma të tjera financuese.

Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM) prej kohësh janë pranuar si motorët e rritjes dhe zhvillimit ekonomik. Arsyeja është se ato jo vetëm që ofrojnë mundësi të shumta punësimi për shtresat e ndryshme të shoqërisë, por njëkohësisht janë aktivitete ku paraja qarkullon më shpejt, duke patur kështu një impakt të drejtpërdrejtë në rritjen e ekonomisë.

Kjo konfirmohet edhe nga raporti i INSTAT i publikuar sot “Statistikat për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM)”, i bazuar në rezultatet e vrojtimit të statistikave strukturore, për vitin 2019.

Referuar statistikave të INSTAT-t, 99.8 % të ndërmarrjeve aktive e zënë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, dhe po ashtu 81.6 % e të punësuarve janë punësuar nga to.

Ndërkohë, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme realizojnë 78.9 % të shitjeve neto dhe kryejnë 68.2 % të investimeve në vend.

Në numrin e ndërmarrjeve, sektori i tregtisë ka peshën më të madhe të NVM-ve me 40.1 %, ndërsa përqindjen më të ulët e ka sektori i energjisë elektrike, ujit dhe menaxhimit të mbetjeve me 0.6 %.

Ndërkohë qeveria vendosi që nga data 1 janar të lehtësojë ndërmarrjet e vogla e të mesme me xhiro vjetore deri në 14 milionë lekë duke i përjashtuar ato nga tatimi mbi fitimin deri në vitin 2029.

Njëkohësisht qeveria rriti edhe fashën e përfshirjes në skemën e deklarimit të TVSH-së, duke e çuar atë në 10 milionë lekë.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakAnkimet për zgjedhjet në Tiranë, Durrës e Shkodër/ Logu: Kemi pritur që KAS të vepronte në përputhje me ligjin
Artikulli tjetërTik Tok jo më rrjeti social vetëm i të rinjve