TIRANË, 24 maj/ATSH/ Deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike, Agron Shehaj deklaroi sot se “në 13 qershor anëtarët e PD-së nuk do të zgjedhin thjesht kryetarin e ri, por do të vendosin nëse duhet të fitojnë apo të humbasin prapë në zgjedhjet e 2025-ës”.
Në një konferencë për shtyp, Shehaj tha se “kandidimi im nuk është përpjekje për të marrë një post, por fillimi i një projekti të ndryshimit të PD-së. PD duhet të ndryshojë sot që të jetë e mundur të shpëtojë Shqipërinë nesër”.
“Po kandidoj sepse udhëheqja aktuale po përpiqet ta kalojë humbjen e 25 prillit, si një gjë të zakonshme, si një gjë normale, pa reflektuar dhe pa ndryshuar asgjë”, vuri në dukje Shehaj.
Sipas tij, mosndryshimi i udhëheqjes së tanishme të Partisë Demokratike është rruga e sigurtë për të humbur përsëri.
“Unë kam ndershmërinë, përvojën dhe aftësinë e duhur për ta çuar Partinë Demokratike në rrugën e fitores. Edi Rama është politikan i korruptuar dhe antidemokratik. Për ta mundur regjimin e tij, Partia Demokratike dhe Shqipëria ka nevojë për një udhëheqës krejt ndryshe nga ai: të pakorruptuar, të pakorruptueshëm, me kurajë dhe gjithëpërfshirës. Me këto vlera ne do të rikthejmë besimin e qytetarëve te Partia Demokratike dhe ta çojmë atë drejt fitores”, u shpreh Shehaj.
Më tej, Shehaj u shpreh se “për të fituar zgjedhjet duhet reformuar PD”.
“Të qenurit kryetar i Partisë Demokratike nuk duhet të jetë vetëm privilegj, por duhet të jetë edhe përgjegjësi. Prandaj propozoj se në Statut të sanksionohet se kryetari i Partisë Demokratike duhet të ketë vetëm një mundësi për të ardhur në pushtet dhe të japë dorëheqjen kur humbet zgjedhjet parlamentare duke mos kandiduar më, pa asnjë justifikim, pa asnjë përjashtim. Partia Demokratike duhet të bëhet partia e konkurrencës dhe e mundësive për të gjithë”, tha ai.
“Për këtë propozoj se në Statutin e Partisë Demokratike të sanksionohet parimi i zgjedhjes së kandidatëve për deputetë nga anëtarësia me parimin “një anëtar, një votë”. Kështu do të fuqizojmë anëtarët dhe do të sjellim në drejtim njerëzit më të zotë. Vetëm në këtë mënyrë ne do tërheqim më shumë njerëz të zotë dhe të ndershëm, që duan të japin kontributin e tyre në politikë”, tha Shehaj.
Duke iu përgjigjur pyetjes nëse po garojnë në kushte të barabarta duke qenë se Basha nuk dha dorëheqjen Shehaj tha se “s’ka dyshim që nuk jemi në kushte të barabarta”.
Shehaj tha gjithashtu se “Basha nuk e çon dot PD-në në fitore”.
“Është bindje e imja. E kuptoj që shumë prej jush mund të kërkojnë arsye të ndryshme, por është shumë e thjeshtë. Nëse duam që PD të fitojë zgjedhjet pastaj të ndryshojë Shqipërinë duhet të ndryshojmë lidershipin e PD-së”, theksoi ai.
Shehaj tha se, “Lulzim Basha duhet të japë dorëheqjen dhe nuk duhet të rikandidojë”.
“Përgjegjësitë nuk duhen kërkuar për vendimet që janë marrë gjatë fushatës elektorale, por humbja jonë i ka rrënjët në vendimet që janë marrë gjatë 4 viteve të opozitës”, theksoi Shehaj.
/k.s/j.p/r.e/
Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.