Kupa e Botës 2022/ Shulku pret në takim konsullen e Katarit në Tiranë

TIRANË, 17 maj /ATSH/ Sekretari i përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku, priti sot në një takim pune konsullen e Ambasadës së Shtetit të Katarit në Tiranë, Nada Al-Hashimi.

Të pranishëm në këtë takim ishin edhe shefi juridik i FSHF-së, Aldi Topçiu dhe drejtori i Marrëdhënieve me Jashtë, Erand Ibrahimi si edhe përfaqësues të Ambasadës së Shtetit të Katarit në vendin tonë.

Ky takim u fokusua në mundësitë e bashkëpunimit mes këtyre dy institucioneve për promovimin e ngjarjes kulmore të futbollit botëror, Kupa e Botës “Katar 2022”. Fillimisht, Konsullja e Katarit Al-Hashimi bëri një përmbledhje dhe përshkrim të gjithë mbështetjes që shteti i Katarit ka ofruar ndër vite për popullin shqiptar, veçanërisht në dy momentet e vështira siç ishin tërmeti i vitit 2019 dhe menaxhimi i pandemisë Covid-19. Mbështetje që konsistonte në rikonstruksione shkollash, çerdhesh, kopshtesh, pajisjen me bazë materiale për spitalet tona, etj.

Gjithsesi, Al-Hashimi theksoi se kjo mbështetje nuk do të mbetet vetëm në fushën sociale apo infrastrukturore, por do të shtrihet edhe në atë sportive, rinore dhe kulturore. Në këtë kuadër Konsullja e Katarit kërkoi nga FSHF mbështetje për një sërë aktivitetesh nëpërmjet të cilave synohet të promovohet dhe të informohet publiku shqiptar mbi Kupën e Botës, që zhvillohet vitin e ardhshëm në Katar.

Gjithashtu, Al-Hashimi bëri një përmbledhje të gjithë progresit që shteti i Katarit ka bërë deri më tani për organizimin dhe pritjen e finaleve të Botërorit, duke filluar nga infrastruktura, elementët e sigurisë, mundësimi i të gjitha hapësirave për të pritur spektatorë e deri te elementët organizativë të kompeticionit.

Nga ana e Federatës, Sekretari i Përgjithshëm, Shulku, pasi bëri një përmbledhje të gjithë arritjeve që FSHF ka pasur deri më sot dhe eventeve kulmore ku ajo ka marrë pjesë, siç ishte pjesëmarrja në Europianin “Francë 2016” apo edhe investimet e federatës në infrastrukturës sportive me rikonstruksionin e stadiumeve, ndërtimi i stadiumit “Air Albania” dhe i Shtëpisë së Futbollit.

Sakaq, Shulku konfirmoi të gjithë gatishmërinë e stafit të federatës për të bashkëpunuar në këto lloj iniciativash. Të dyja palët ranë dakord që bashkëpunimi të vijojë me ngritjen e grupeve të punës, që do të bëjnë përgatitjen e ideve për organizimin e disa aktiviteteve me qëllim promovimin e këtij eventi kaq të rëndësishëm dhe mundësimin e çdo informacioni për të gjithë futbolldashësit dhe qytetarët shqiptarë. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.