TIRANË, 10 maj/ATSH/ Inflacioni, që mat ndryshimin vjetor të çmimit të mallrave, llogaritet 1,9 % gjatë muajit prill, ndërsa objektivi i shenjestruar i Bankës së Shqipërisë është 3 %.
Referuar INSTAT, ky është niveli më i lartë i shënuar që prej muajit tetor.
Ndryshimi mujor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin prill 2021, krahasuar me mars 2021 është 0,2 %.
Sipas të dhënave të INSTAT, krahasuar me muajin prill 2020, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “ushqime dhe pije joalkoolike” me 4,5 %, pasuar nga grupet “komunikimi” me 3,6 %, “pije alkoolike dhe duhan” me 1,7 %, “argëtim dhe kulturë” me 1,3 %, “hotele, kafene dhe restorante” me 1 % dhe “veshje dhe këpucë” me 0,4 %.
Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “zarzavate përfshirë patatet” u rritën me 10,2 %, pasuar nga nëngrupet “vajra dhe yndyrnat” me 4,6 %, “fruta” me 4,4 %, “peshk” me 2,5 %, “qumësht, djathë dhe vezë” me 1,9 %, “bukë dhe drithëra” me 1,8 %, “mish” me 1,2 %, etj. /a.a/r.e/






















