Ballina Bota

PEKIN – Kina pezullon dialogun ekonomik me Australinë

PEKIN, 6 maj /ATSH-DPA/ – Kina ka pezulluar në mënyrë të pacaktuar dialogun strategjik ekonomik me Australinë, me Pekinin që akuzon Kanberrën për një “mentalitet të luftës së ftohtë”.

Masa vjen menjëherë pasi qeveria australiane anuloi dy marrëveshje me Kinën.

Komisioni Kinez i Zhvillimit dhe Reformës (NDRC) tha në një deklaratë të shkurtër se do të pezullojë të gjitha aktivitetet në kuadrin e Kornizës së Dialogut Ekonomik Strategjik Kinë-Australi të krijuar në 2014.

NDRC tha se vendimi i saj bazohej në “qëndrimin aktual” të qeverisë australiane.

“Kohët e fundit, disa zyrtarë të qeverisë australiane filluan marrjen e një sërë masave për të prishur tregtinë dhe bashkëpunimin normal midis Kinës dhe Australisë me mentalitetin e luftës së ftohtë dhe diskriminimin ideologjik”, thuhej në deklaratë.

Kina është partnerja më e madh tregtare e Australisë.

Të dy vendet ishin të mbyllura në një mosmarrëveshje tregtare që u përshkallëzua vitin e kaluar dhe pa Kinë të godiste verën australiane, mishin e viçit, elbin dhe qymyrin me tarifa tregtare dhe vonesa doganore.

Sidoqoftë, është e paqartë nëse lëvizja më e fundit do të ketë një efekt praktik.

Pekini po refuzon takimet e nivelit të lartë.

Hera e fundit që të dy palët u takuan si pjesë e dialogut ekonomik ishte në shtator 2017. /os/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakCOVID-19 – Gjermania e hapur për heqjen e certifikatave mbi vaksinat
Artikulli tjetërLuleshtrydhet në pikun e sezonit të prodhimit dhe eksportit