Rishikimi i nivelit të taksës progresive/ Denaj: 63 % e të punësuarve zero tatim mbi pagën

TIRANË, 5 maj/ATSH/ Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj deklaroi sot se zgjerimi i fashës së taksimit progresiv do të kryhet për të ndihmuar shtresën e mesme.

Gjatë një interviste televiziv, Denaj u shpreh se kjo mazhorancë i qëndron politikës së saj se kush fiton më shumë paguan më shumë dhe se në programin tonë nuk do të ndryshojmë metodologjinë, por vetëm zgjerojmë fashat.

“Shqiptarët më 25 prill votuan edhe për taksën progresive. Nuk ka asnjë ndryshim në metodologji, por zgjerim fashe për të ndihmuar shtresën e mesme. Ne i kemi qëndruar besnik parimit të taksës progresive se kush merr më shumë paguan më shumë“, tha ajo.

Sipas Denajt, nga përjashtimi nga taksimi për pagat deri në 40 mijë lekë përfitojnë një numër i konsiderueshëm shqiptarësh, konkretisht rreth 63 % të të punësuarve.

Ndërsa nga rritja e fashës nga 150 mijë në 250 mijë lekë që do të taksohet 13 % nga 23 % që taksohet sot përfitojnë gati 10 mijë të punësuar.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.