Xhafaj: Sfida më e madhe e mandatit të tretë, ndezja e motorëve ekonomikë nga e para

TIRANË, 3 maj/ATSH/ Zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Etjen Xhafaj, njëkohësisht i katërti më i votuar në listën e Partisë Socialiste në Tiranë, tha sot se sfida më e madhe e mandatit të tretë është rimëkëmbja imediate, ndezja e motorëve ekonomikë nga e para.

Në një intervistë televizive, Xhafaj theksoi se “besoj se duke qenë se mandati i dytë ishte i ndërprerë mes dy krizave të mëdha si tërmeti e pandemia, ka mbetur një energji shumë e madhe pozitive për t’u përdorur sidomos sa i përket projekteve ekonomike që tani janë vënë në radhë, si hidrocentrali i Skavicës, termocentrali i Vlorës, porti i Durrësit, aeroporti i Vlorës”.

“Ka mundësi për dinamizëm për t’i dhënë një frymë të re zhvillimit të ri ekonomik, rindërtimit dhe rimëkëmbjes. Besoj se kjo do të jetë sfida më e madhe e këtij mandati rimëkëmbja imediate, ndezja e motorëve ekonomikë nga e para”, – tha Xhafaj.

Xhafaj u shpreh se “tanimë që kemi vaksinuar gati më shumë gjysmë milion njerëz kemi mundësinë  të hapim një sezon turistik normal. Këtë fundjavë kishim një fluks shumë të madh vizitorësh, por kjo është stadi i parë për t’u kthyer tek zhvillimi ekonomik. Për të rifilluar pas të dyjave”.

Duke folur për opozitën Xhafaj tha se “ka ardhur koha të mendojmë për të ardhmen, jo vetëm për të tashmen e pushtetit. Në 8 vitet e fundit që nga 2013 opozita ka menduar se do të vijë në pushtet për 6 muaj, edhe tani po diskutohet kjo gjë. Është komplet e çuditshme, të thuash humbëm zgjedhjet, por për 6 muaj do të bëhet qeveri teknike”.

“Në thelb të pushtetit dhe gjithë lojërave politike është nevoja për ndryshim dhe për të sjellë zhvillim në vend dhe për këtë duhet të bashkohen”, – tha Xhafaj.

Sipas tij, në dy krizat e fundit, tërmeti dhe pandemia, palët duhet të ishin bashkuar.

“Tashmë kemi një sfidë të tretë që është hapja e negociatave me BE-në. Këto janë sfida që kanë rëndësi tërësore për popullin, fëmijët tanë dhe nuk mund të futemi të ndarë. Duhet të bëhemi bashkë për të ecur përpara. Për herë të dytë iu dhanë 74 mandate PS për të qeverisur e vetme dhe ka ardhur koha që në 31 vitet e tranzicionit, opozita ta pranojë njëherë atë që është mandati nga populli”, – shtoi ai.

Ndërsa duke folur për fitoren e tij në zgjedhjet e 25 prillit, Xhafaj tha se “duke qenë se kisha 6 muaj i deleguar në bashkitë e Kavajës dhe Rrogozhinës, 8 javët e fundit bëra fushatë në këto zona, por sigurisht që isha përgatitur edhe më parë. Targeti im ishte të afrohesha me njerëzit, por në kalkulimet e mia kjo 12 nuk ishte llogaritur, se në momentin që u delegova dhe me dhanë numrin 12 nuk kishte dalë ende numri i partisë. Më pas kur u nda numri i partisë, kam marrë vota pothuajse në çdo kuti në Tiranë. Kam marrë vota edhe në kryeqytet si në Paskuqan, e zona të tjera ku nuk kam qenë ndonjëherë”./k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.