TIRANË, 3 maj /ATSH – I. Vata/ Presidenti i FSHF, Armand Duka i ka shprehur urime presidentit të Futbollit të Kosovës, Agim Ademi me rastin e 5-vjetorit të pranimit të Kosovës si anëtare me të drejta të plota në UEFA.
Duka shprehet se “sot është një datë historike për futbollin kosovar dhe Federatën e Futbollit të Kosovës. 5 vite më parë Kosova u pranua si anëtare me të drejta të plota në UEFA gjatë Kongresit të 40-të, duke shënuar kështu një arritje të madhe në arenën ndërkombëtare”.
“Dua të shpreh urimet më të sinqerta për FFK-në, presidentin Agim Ademi dhe të gjithë aktorët e futbollit në Kosovë në këtë përvjetor të pestë. Ndihem mirë teksa shoh që futbolli kosovar ka bërë hapa të mëdhenj përpara, duke u rritur dhe duke u përfaqësuar gjithmonë e më mirë edhe ndërkombëtarisht. Federata Shqiptare e Futbollit është krenare për kontributin që ka dhënë në këtë proces historik dhe do të vazhdojë të bashkëpunojë ngushtë me vëllezërit tanë të FFK për të çuar përpara projekte të mëdha në të mirë të futbollit. Falenderim e mirënjohje përjetë edhe për ish-presidentin e ndjerë të FFK, legjendën Fadil Vokrri, pa kontributin e të cilit kjo ngjarje historike do të ishte e pamundur. Urime edhe një herë Federatës së Futbollit të Kosovës në këtë ditë të shënuar”, tha Duka. /a.a/r.e/























