Ballina Aktualitet

Besimtarët ortodoksë festojnë Pashkën/ Mesazhe urimi nga politika

TIRANË, 1 majs/ATSH/- Besimtarët ortodoksë në të gjithë vendin kremtojnë nesër festën e Pashkës. Festimet për ngjalljen e Krishtit, do të nisin me meshën e shenjtë në kishat ortodokse , i dyti vit i ndikuar nga masat antikovid për shkak të pandemisë.

Presidenti Ilir Meta, ka uruar besimtarët për festën e Pashkës, duke u shprehur se :

“Të dashur besimtarë ortodoksë, Gëzuar Festën e Shenjtë të Pashkës, Ditën e Ngjalljes së Krishtit, të triumfit të jetës mbi vdekjen, të dritës mbi errësirën, të së mirës ndaj së keqes dhe të dashurisë mbi urrejtjen. Lutja e fundit e Krishtit mbi Kryq: “O Atë, fali ata, sepse nuk dinë se ç’bëjnë!”, na kujton se “helmimi” i familjes, i shoqërisë dhe i politikës nga fenomenet e errëta duhet luftuar me kryengritjen paqësore të madhështisë së dashurisë dhe faljes, që na mësoi dhe predikoi me vepra Biri i Perëndisë. Shumë përpiqen ta shmangin këtë parim, por siç na mëson Ungjilli: “Të bekuar janë ata, që frymëzohen nga falja, e cila buroi nga varri i Krishtit. Të bekuar janë ata, që kërkojnë dashurinë e Tij, që kapërcen çdo mendje. Festa e Dritës, që kurrë nuk perëndon, na kujton sot se sado i lartë të duket “mali” i së keqes, e mira do të triumfojë sepse shpresa me besimin në Zot nuk vdes asnjëherë, por ajo është e gjallë dhe do të ngjallet si Krishti. Me urimet më të përzemërta për popullin shqiptar, për më shumë shëndet, paqe e begati në familjet tuaja! GËZUAR PASHKËN! KRISHTI U NGJALL! VËRTET U NGJALL”, thuhet në urimin e Metës.

Edhe Kryeministri Edi Rama ka uruar besimtarët me rastin e festës së Pashkës.

“Gëzuar Pashkët Ortodokse”, shprehet Rama krahas fotos së publikuar në rrjetet sociale.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBRUKSEL – Von der Leyen përshëndet personelin shëndetësor në mbarë botën me rastin e 1 Majit
Artikulli tjetërReagimi i Bashkisë Durrës: Shpërndarja e grantit për rikonstruksion ka nisur që në fillim të 2020-ës