Ballina Flash

PS fiton njësinë bashkiake nr. 6/ Balluku: Të gjitha premtimet e dhëna do të mbahen

TIRANE, 27 prill/ATSH/ Partia Socialiste ka fituar me 54 % të votave në Kombinat. Ministrja e Infrastrukturë dhe Energjisë, Belinda Balluku e cila kandidonte në këtë zonë falenderoi banorët e kësaj zone, ndërsa u shpreh se të gjitha premtimet e dhëna do të mbahen.

“Dua të falenderoj të gjithë banorët socialistë e jo socialistë, të majtë e të djathtë, të gjithë ata që na votuan, që na mirëkuptuan e mbështetën në këtë fushatë që nuk ka zgjatur dy javë apo tre muaj, siç zakonisht bëjnë të tjerët, por ka zgjatur për 6 muaj të tërë dhe ka qenë një fushatë atipike për shkak se është bërë në kushtet e pandemisë, por është bërë konform të gjithë rregullave. Por ama nuk kemi lënë asnjë pa parë në sy, dëgjuar, zgjidhur hallin apo qarë hallin”, u shpreh Balluku.

Ministrja Balluku falenderoi edhe të gjithë bashkëpunëtorët e saj.

“Unë nuk kam qenë vetëm në rrugëtimin tim por me një skuadër që mendojnë dhe besojnë që njerëzit kanë nevojë për punën jo për fjalë, për një të ardhme që të jetë e mirë, të duket që sot që është një e ardhme e shkëlqyer”, tha ajo.

Asnjë nga ne nuk do të ishte këtu sot, tha ajo, me këtë fitore, apo të gjitha fitoret që kemi korrur nëse në krye nuk do të kishim Kryeministrin Edi Rama.

Sipas Ballukut, Kombinati është një nga zonat më të vështira elektorale për shkak të disa problematikave që s’kanë të bëjnë me PS-në, por krijimin e një lagjeje të re, tërmetin ku 2500 familje u goditën e u mbështeten nga qeveria me bonus qiraje, me pandeminë apo shumë gjëra.

“Megjithatë, unë kisha bindjen se ata janë njerëz të shkëlqyer, janë njerëzit më punëtorë që kam njohur, janë optimist. Ndaj ne duhet t’u japim atyre gjithçka që ju premtuam”, tha Balluku.

Ministrja Balluku falenderoi edhe banorët e Unazës së Re. E kthyen, tha ajo, në një kalë beteje, nga i cili nuk u fitua asgjë përveçse një vonese 2-vjeçare të një projekti të cilin e gëzon sot gjithë Shqipëria.

“Dje edhe Unaza e Re tregoi se kupton çfarë ne po bëjmë dhe vlerëson punën tonë dhe jam e sigurtë se edhe në zgjedhjet e tjera atje do të kemi një mbështetje të jashtëzakonshme”, tha ajo.

E shoqëruar nga e bija, Belen, Balluku tha se nuk do të kishte arritur të merrte këtë rezultat në zgjedhje, nëse fëmijët e saj nuk do t’i kishin dhënë ‘lejen’ për të punuar, por do të kërkonin që ajo të kalonte më shumë kohë me ta. Por sipas Ballukut, fëmijët e saj e kuptuan që ajo duhej ta fitonte këtë ‘luftë’.

“Dua të falënderoj babain tim, Çlirim Ballukun i cili erdhi në fushatë për Partinë Socialiste dhe jo për mua. Pavarësisht se unë jam kundra ekspozimit të fëmijëve në fushatë dhe unë i mbaj zakonisht fëmijët e mi larg, sot vendosa të marr Belen me vete, sepse ajo dhe i vëllai, që nuk do të dalë në media, janë një pjesë e rëndësishme e kësaj fitoreje, sepse nëse ata nuk do më kishin lejuar të kisha kohën e disponueshme për të bërë fushatë, nëse do kishin insistuar të rrija më shumë me ta, unë nuk do ja kisha dalë dot të merrja rezultatin që mora, por Belen dhe vëllai kuptuan që ne duhej ta fitonin këtë luftë dhe më dhanë leje që unë të punoja maksimalisht dhe kemi patur ditë që nuk e kemi parë njëri-tjetrin, por ama erdhëm me fitore”, u shpreh ministrja.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakCOVID-19 – India në alarm nga rastet e reja, 323 000 në ditë
Artikulli tjetër“25 prilli, ditë paqësore dhe me pjesëmarrje masive në votim”/ Meta: Koha për të përmbyllur me qetësi procesin zgjedhor