Ballina Bota

SHBA – Rastet COVID-19 sërish në rënie

UASHINGTON, 26 prill /ATSH-AFP/ – Rastet e reja të COVID-19 janë sërish në rënie në SHBA, duke arritur në nën nivelin e 60 000 infektimeve ditore, mesatarisht gjatë shtatë ditëve të fundit.

“Tani, numri i infeksioneve ka rënë nën 60 000 në ditë, për herë të parë në një muaj”, shkroi në Twitter, Ashish Jha, studiues në shkollën e Shëndetit Publik në Universitetin Brown.

“Në mes të marsit, kur ndodhi shpërthimi i fundit i vogël i epidemisë, u vaksinuan 21% e popullsisë, kurse sot është dyfishi”, shtoi ai.

Pak më shumë se 42% e amerikanëve (gati 140 milionë persona) kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës dhe 28,5% janë imunizuar plotësisht, sipas të dhënave nga Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC).

Megjithatë, ekspertët janë të shqetësuar për një ngadalësim të pritshëm të shkallës së vaksinimeve, e vërejtur tashmë pjesërisht: aktualisht, numri i injeksioneve është mesatarisht 2,6 milionë në ditë, kundrejt rreth tre milionë në mes të prillit.

Sipas “The New York Times”, më shumë se pesë milionë persona në SHBA nuk kanë marrë ende dozën e dytë të vaksinës antiCOVID-19.

Disa prej tyre deklaruan se nuk ishin vaksinuar, sepse kishin frikë nga efektet anësore dhe disa të tjerë menduan se një dozë e vetme ishte e mjaftueshme.

Në SHBA, sipas të dhënave të Universitetit “Johns Hopkins”, numri i përgjithshëm viktimave nga COVID-19 ka arritur në 571 922, kurse i rasteve të zbuluara me këtë virus u rrit në 32 045 168./ /ervo/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakQarku Tiranë/ Numërohen 598 qendra votimi; PS 48.75 %, PD-AN 38.95%
Artikulli tjetërPërfundon procesi i numërimit në bashkitë Kukës, Has, Tropojë