Vaksinimi masiv antikovid/ Tomini: Shqipëria ndër vendet e para për ritmin e vaksinimit

TIRANË, 21 prill /ATSH/ Eugena Tomini, zv.ministre e Shëndetësisë, tha se ka nisur vaksinimi i punonjësve të strukturave të udhëtimit duke filluar me aviacionin civil.

Gjatë një interviste televizive ajo tha se “kjo ecuri pozitive e vaksinimit po përvijon dhe Shqipëria është ndër vendet me ritmin më të lartë në rajon për sa i përket këtij procesi”.

“Kemi nisur fushatën e vaksinimit masiv dhe në më pak se një javë kemi kaluar në fashën 60+. Ndërsa është përmbyllur doza e dytë e vaksinimit për personelin shëndetësor dhe nga 15 mijë vaksinime në ditë e më pas në 9 mijë vaksinime në ditë dhe në 10 ditët e fundit Shqipëria ka qenë në toplistën e vaksinimit. Arritja e qeverisë për të pasur një stok të lartë vaksinash është menaxhuar paralelisht me procesin e shpërndarjes së vaksinimit në qendrat shëndetësore”, u shpreh Tomini.

“Ndërkohë po vijon kombinimi i fashave që po vaksinohen aktualisht. Siç janë fashat për moshat 65-69 vjec, vazhdon vaksinimi i gazetarëve, operatorëve turistikë, me punonjësit e transportit do të përvijojmë brenda grupit të madh të transportit”, – tha ajo.

Plani kombëtar i vaksinimit i ka të përfshirë të gjitha grupet por gjithçka po koordinohet edhe me sasinë e vaksinave që vijojnë të vijnë në vendin tonë dhe ky proces do të përshkallëzohet.

“Ndërsa grupi i radhës është ai i fasonerisë duke mos neglizhuar asnjë grup tjetër që po përvijohet dhe të mos i humbasë askujt e drejta për t’u vaksinuar edhe pse është në një moment të dytë”, – tha Tomini.

“Në asnjë rast pas aplikimit të vaksinimit, nuk kemi pasur rrezik për jetën”, – u shpreh ajo. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.