SHBA – Shpallet fajtor polici që vrau George Floyd

MINNEAPOLIS, 21 prill /ATSH-AFP/ – Polici amerikan, Derek Chauvin u shpall fajtor për vrasjen e George Floyd, një fitore për drejtësinë, sipas familjes së 40-vjeçarit me ngjyrë, vrasja e të cilit, vitin e kaluar në Minneapolis u kthye në simbolin e brutalitetit policor kundër minoriteteve në SHBA.

Në përfundim të tre javëve të një procesi të tensionuar në këtë qytet në veri të SHBA-së, 12 juristët me origjinë të ndryshme etnike, të cilët kishin diskutuar që nga e hëna, arritën në përfundimin se i akuzuari ishte fajtor për tre akuzat e ngritura kundër tij.

I shkarkuar tashmë nga policia, agjenti 45-vjeçar, me një maskë në fytyrën e tij, nuk tregoi ndonjë emocion të veçantë në formulimin e vendimit. Menjëherë në pranga, ai u mor në paraburgim.

Pak para vendimit, një adoleshente me ngjyrë 16-vjeçare u qëllua për vdekje nga një oficer policie në Columbus, Ohio, gjithashtu në veri të vendit. Sipas policisë që iu përgjigj një thirrje urgjence, ajo dukej se po sulmonte një person tjetër me thikë.

Gjykatësi Peter Cahill do të japë dënimin e tij brenda tetë javëve.

Derek Chauvin pritet të përballet me 12 vjet e gjysmë burg, por dënimi i tij mund të zgjatet nëse magjistrati arrin në përfundimin se ekzistojnë rrethana rënduese.

“Kjo është një fitore për ata që luftojnë për drejtësi kundër padrejtësisë si dhe një “pikë kthese në histori”, theksoi avokati Ben Crump, i rrethuar nga familja Floyd.

“Ne largohemi nga Minneapolis duke e ditur se Amerika është më e mirë”, shtoi ai./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.