Spitali Rajonal Memorial i Fierit me standardet më të larta botërore

TIRANË, 21 prill /ATSH – I. Vata/ Kryeministri Edi Rama tha se, “spitali Rajonal Memorial i Fierit është një spital me standarde botërore, ku do të implementohet për herë të parë modeli i fazës tjetër të reformës në shëndetësi, autonomia spitalore”.

Rama gjatë një interviste televizive tha se, “këtu ishte një fushë me kallame, tani di që këtu është një spital i standardeve më të larta botërore, pra është një spital me standarde më të larta si në Turqi, edhe në Francë edhe në Itali”.

“Unë di që këtu është  një qendër e transferimit të dijes, ku nuk është thjeshtë një spital që do u shërbejë pacientëve, por është një spital ku do të implementohet për herë të parë modeli i fazës tjetër të reformës në shëndetësi, autonomia spitalore që do transferohet në të gjithë sistemin tonë. Dhe unë di që brenda 4 viteve të ardhshme ne do ta ngremë shëndetësinë shqiptare në një nivel tjetër po ashtu, sepse infrastrukturën tani më e kemi paka a shumë të rindërtuar. Kanë mbetur dhe disa spitale periferike që duan ndërhyrje, por kemi spitale të këtij niveli nga pikëpamja e infrastrukturë”, tha Rama.

Rama shtoi se, “këtu do të kemi menaxherë, profesorë turq dhe shqiptarë që do t’i japin një tjetër shtysë shëndetësisë”.

Në lidhje me europianistin Basha, Rama tha se “të kujtohet kur thonin se Edi Rama po prish me Europën, po sulmon BE, sepse Edi Rama i ka kthyer kurrizin BE, kur unë nuk po  sulmoja BE, por unë thjesht si kryeministri i Shqipërisë nuk e ndjeja veten se kam ndonjë gjë më pak si europian apo si person me këdo nga ata. Ata kanë nga mbrapa shtete të mëdha, unë përfaqësoj një shtet të vogël me të gjithë problematikat e veta, por në tavolinë ka vetëm barazi. Mbas si mi thanë këto kur u shpërndanë vaksinat nga BE për 6 vendet , çuditërisht Shqipëria mori dozën e dytë më të madhe, pse e mori dozën e dytë më  të madhe?  Sepse është politika, besueshmëria që e sjell, është karakteri që ke. Shqipëria nuk është Gjermani që në të gjitha raste është shteti aty. Ka fatin që ka një kolosë si Angela Merkeli por mund të ketë fati të ketë dhe dikë tjetër, por është Gjermania. Por kur vjen puna te Shqipëria është karakteri i liderit që përcakton sa e respektojnë dhe sa bëjnë për të”.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.