Karantina dyjavore me Greqinë dhe Maqedoninë e Veriut, vendim i Komitetit/ Peleshi nuk ka qenë i lumtur për këtë

TIRANË, 21 prill/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në mbrëmje i ftuar në një studio televizive se edhe deputetët socialistë janë ankuar për vendosjen e karantinës me Maqedoninë e Veriut dhe Greqinë.

Rama iu përgjigj pretendimeve të LSI se ky vendim penalizon atë forcë politike në Gjirokastër, duke theksuar se “kjo nuk është një vendimmarje e imja”.

“Është vendosur karantina edhe për Greqinë edhe për Maqedoninë e Veriut. Kam pasur reagime nga deputetët e PS-së për shkak të shumë njerëzve që vijnë votojnë dhe u kam thënë nuk është një vendim që e kemi marrë ne. Niko Peleshi nuk ka qenë i lumtur për këtë”, tha Rama.

Ai theksoi se “kush e ka vërtetë me zemër dhe vjen si patriot, vjen edhe voton por kjo është marrëzi e vërtetë”.

Rama tha se “ka vetëm një ndërhyje të tij parimore qysh në ditën e parë kur erdhi pandemia, kur u kam thënë kur ishte një mbyllje e madhe se nuk duhet të ndodhi që Kosovën ta shikoni si shtet tjetër”.

“Nga Kosova në Shqipëri vjen kush të dojë, rri sa të dojë, bën çfarë të dojë, nuk kam parasysh këtu që të futet në furgonat e LSI-së dhe t’i marri jetën ndonjë tjetri. Përveç Kosovës Komiteti mund t’i mbylli të gjithë kufijtë si e sheh të arsyeshme, por tek Kosova unë nuk do rrija dot të respektoja shkencën”, shtoi Rama.

Lidhur me vendimin e Greqisë për të mos hapur kufirin me Shqipërinë, Rama tha se “nuk kam ndonjë shpjegim të veçantë, pasi politikat e kohës së pandemisë janë të gjitha politika që nuk shpjegohen nga politikat para ose pas pandemisë, por burojnë nga analiza që bëhen me ekspertë”.

“Unë me Mitsotakis kemi raporte fantastike, jo problematike. Ai është një personalitet me një inteligjencë dhe me një aftësi për t’i kuptuar gjërat dhe tejkaluar ato vijat e paravendosura. Duke qenë njeri shumë i interesuar për të dëgjuar tjetrin, për të qenë konstruktiv, kemi një raport fantastik. Nuk shoh asnjë konspiracion me këtë. Ne nuk drejtojmë të njëjtin vend dhe nuk i kemi qëllimet e përputhura, por mendoj se bashkë me kryeministrin Mitsotakis dhe me ministrin e Jashtëm të Greqisë, ne do bëjmë gjëra të mëdha, jam i bindur për këtë”, tha Rama.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.