Ngjarja në Elbasan/ Balla: Një akt i rëndë i inskenuar nga PD që merr në mbrojte vrasësin

TIRANË, 21 prill/ATSH-Maela Marini/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, deklaroi sot se për ngjarjen e Elbasanit, PD duhet të kërkoj falje dhe të marrë përgjegjësitë”.

I ftuar në një studio televizive, Balla tha se ndien keqardhje që PD nuk dënon ngjarjen dhe merr në mbrojtje vrasësin.

Ai theksoi se “nuk ka pasur përfaqësues të PS të jenë përfshirë në akte të blerje të votës”.

“Një parti politike merr në mbrojtje një vrasës. Prokuroria dhe Policia të zbardh ngjarjen. Ka humbur jetën një elbasanas autokton. Sot është qëlluar kundër policisë. Është një akt i rëndë i inskenuar nga PD. Kanë ardhur makina në zona tjera në Elbasan dhe kontrollonin makinat. Unë jam informuar dje në darkë sepse gjatë kohës që qytetarët e Elbasanit shkonin për aktivitetin politik, furgonit bënin kontroll. Sot kam njoftuar policinë lidhur me praninë e këtyre furgonave kontrollonin njerëz, madje me armë. Unë nuk e di çfarë reagimi do të kishte pasur në media nëse ngjarja do të ishte anasjelltas”, tha Balla.

Ai shtoi se “i takon prokurorisë dhe Policisë të zbardh ngjarjen”. “Ndiej keqardhje që PD nuk dënon ngjarjen dhe merr në mbrojte vrasësin. Ai person që është kontrolluar nga këta persona nuk ka lidhje me PS. Thirrje për qytetarët e Elbasanit që të shkojnë me qetësi në zgjedhje. Furgonat janë rikthyer përsëri, por kanë ndërruar ngjyrat. Policia ka shkuar të bëj kontrollin dhe është përballur me plumbat e personave që janë në shërbim të Gazment Bardhit. PD të kërkoj falje dhe të marrë përgjegjësitë. Ata nuk janë pjesë e PS që ndodheshin atje”, tha Balla.

Balla shprehu ngushëllimet për familjen e të ndjerit që ka humbur jetën sot në Elbasan. “Dua t’ju bëj me dije se PD prej dje ka instaluar në Elbasan disa furgonë të mbushur me disa persona me përgatitje ushtarake. Mbrëmë dhe sot kanë ushtruar dhunë dhe kontrolle, kanë ngritur postblloqe në rrugë të qytetit, në një moment të caktuar gjatë ditës edhe unë jam informuar për të cilën i jam drejtuar policisë, për ta vënë në dijeni, edhe me fotografi, këta persona të armatosur”, shtoi ai.

“Ngjarja, dinamika shpresoj që policia ta zbardh, jemi para një situate ku është goditur jo vetëm viktima por edhe një punonjëse e policisë dhe mendoj se është në turpin e PD dhe Ilir Metës që është nxitës për dhunën, të kishin reaguar për punonjësen të paktën, sepse ka qenë duke kryer detyrën e saj”, tha Balla.

“Ky person në vlerësimin tim, duke qenë se ka drejtuar grupin i cili ka drejtuar një vrasje duhet të jetë një person nën hetim. Nën urdhrat e Bardhit sot një elbasans autokton nuk jeton më. Në makinën e tij ka larguar vrasësin nga vendi i ngjarjes pas ngjarjes. Do i zbardhi prokuroria dhe policia. Kjo ngjarje do të zbardhet por të gjitha strukturat e PS nuk duhet të bjerë pre e provokimeve. I bëj thirrje Bashës dhe Saliut të heq këta persona nga Elbasani”, tha Balla. /m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.