TIRANË, 21 prill/ATSH/ Në fillim të muajit maj të këtij viti fillojnë punimet për restaurimin e mozaikut të Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë, kishës së Shën Marisë në Rubik dhe kishës së Shën Ndojit në Kepin e Rodonit.
Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila tha se “programi EU4CULTURE është gati për të ngritur kantieret e para”.
Ministrja Margariti u shpreh se “gjatë takimit të radhës së këshillit drejtues të programit vendosëm për afatet e fillimit të punimeve.
Në bashkëpunim të ngushtë me UNOPS do zhvillohen projektet e rijetëzimit për 10 sitet e para prioritare, për të cilat pritet të fillojnë punimet së shpejti”.
“Falë mbështetjes së Bashkimit Europian jo vetëm po mbyllim plagët e tërmetit, por do t’u japim jetë monumenteve dhe hapësirave përreth. Më shumë mundësi, më shumë shpresë. Shqipëria është e ardhmja jonë”, – tha Margariti.
Në mbledhjen e këshillit drejtues të programit “EU4CULTURE” ishte i pranishëm edhe ambasadori i BE-së në vendin tonë, Luigi Soreca.
Monumentet e kulturës si pjesë e trashëgimisë sonë kulturore vitet e fundit kanë marrë një vëmendje të veçantë nga specialistët dhe institucionet përkatëse. Këto monumente kulture po mirëmbahen dhe restaurohen duke u kthyer në vende të denja turistike si dhe në destinacione të reja për t’u eksploruar. Vendet e kultit, kalatë dhe muzetë vitet e fundit janë kthyer në atraksione nga më të vizituarat nga turistët e huaj dhe vendas, të cilët tërhiqen nga historia dhe misteri që këto vende kanë dhe tregojnë shumë mbi rrënjët dhe identitetin tonë.
/k.s/j.p/























