“Asnjë votë të mos preket”/ Meta-qytetarëve: T’i mprehin cfurqet, kosoret, lopatat, sopatat për të dielën

TIRANË, 21 prill /ATSH/ Presidenti i Republikës, reagoi sot në lidhje me heqjen e banderolave të LSI nga bashkia e Fierit.

Nëpërmjet një konference për shtyp, Meta iu drejtua kandidates së LSI në Fier, Kejdi Mehmetaj që të mos bjerë pre, sipas tij, e këtij provokimi.

“Ftoj kandidaten e LSI për qarkun e Ferit, Kejdi Mehmetaj dhe kandidatët e tjerë të mos bien pre e këtij provokimi të bandës rilindase. Të thellohen pak. Ky është një incident i turpshëm edhe banal, por është edhe një provokim Kejdi që ju gjoja të prishni mitingun që do të bëjë rilindja sot me administratën në Fier. Këtë duhet ta kuptosh qartë dhe nuk është kjo beteja juaj për të mbrojtur banderolat e LSI-së nga veprimet e paligjshme të bashkisë se kryetari i Bashkisë së Fierit, i cili do të shkojë në burg, për shkeljet shumë të rënda që ka bërë, jo thjesht për këto shkeljet e Kodit Zgjedhor, prandaj komuniko me Ruçin, meqenëse është me shumë përvojë dhe mbulon qarkun e Fierit. Në rast vërtet se banderolat tuaja shqetësojnë Rilindjen dhe kryerilindasin hiqini banderolat tuaja deri sa të mbarojë mitingu i Rilindjes dhe pastaj vendosini prapë”, tha Meta.

“Tani unë meqë për dy orë do iki në Vlorë dhe do kaloj në Fier, do iki vetë t’ia vë posterat e tij që të kënaqet ai, provokator i qelbur që kërkon të prishë ditën e dielë. T’i mprehin sfurqet, kosoret, lopatat, sopatat t’i mprehin e t’i kenë gati për të dielën dhe po u prek vota, do dalin kundër me presidentin në krye qytetarët e Fierit dhe Mallakastrës. Se ky është problemi, që më vonë të thonë që kjo u bë me urdhër të Metës, se kështu thonë”, tha Meta.

Duke iu drejtuar Kryeministrit Rama, Presidenti Meta deklaroi  se arrestimet e të akuzuarve për plagosjen në zyrat e PD-së në Kavajë u bënë pas ulërimave të tij.

“Dua t’i them edhe një herë kryerilindasit, shumë mirë bëre që pas ulërimave të mia dje që i arrestove 3 rrugaçët dhe banditët në Kavajë. Që i le 24 orë, i mbajte me të ngrëna e të pira e me garanci. Ti më akuzove mua që nxis dhunën në Kavajë, ndërkohë që i dërgove ti dhe shtabi yt kriminal në Kavajë këta 3 horra, 2 prej të cilëve punojnë në Bashkinë e Kavajës dhe tjetri që bëri aktin  i lidhur me narkotrafikantë. Se ti vdes për këta narkotrafikantët”, tha Meta.

Presidenti Meta gjithashtu i bëri thirrje qeverisë të heqë vendimin për karantinën dyjavore të emigrantëve që futen nga Greqia apo Maqedonia e Veriut, pasi kjo sipas tij po bëhet për të bllokuar votimin e emigrantëve.

“Ndalimi i votimit të emigrantëve nga Greqia në zgjedhjet e 25 prillit përbën një akt të dhunshëm barbar, diskriminues dhe antikushtetues të ndalimit të së drejtës të sanksionuar në Kushtetutë për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur që duhet ta gëzojë çdo shtetas i RSH në moshën mbi 18 vjeç. Arsyetimi i ndalesës dhe diskriminimi të mijëra bashkëatdhetarëve tanë për të marrë pjesë në votime për shkak të pandemisë është pretekst fals, i pabazuar shkencërisht, absurd dhe një përdorim politik dhe i paskrupullt për përfitime elektorale nga situata e pandemisë nga ana e partisë shtet”, tha Meta.

I pyetur nëse shiten mandatet e opozitës, Meta tha se, nuk fshihet asnjë mandat i opozitës, nuk preket asnjë votë e opozitës. “Asnjë votë nuk do të preket. Nuk preket asnjë votë as e opozitës as e PS-së”, tha ai.

Ai tha se nëse mazhoranca arrin të fitojë ndershmërisht 71 mandate, mandatin e 72 të tijin ai do ua japë vetë. “Nuk dua më asnjë pikë gjaku, asnjë pikë loti për zgjedhjet, secili të votojë siç do, nëse merr 71 mandate në mënyrë të ndershme Rama, do t’i jap dhe të presidentit vetë. Ama nëse preket një votë të gjejë vend e të futet”, tha Meta.

“I bëj thirrje, do bëj thirrje të tjera për Komisonerët, për numëruesit. Se ata përfaqësuesit e opozitës atje të PD dhe LSI në të gjithë vendin, jo vetëm që kanë për detyrë të mbrojnë çdo votë të qytetarëve shqiptarë dhe pa dyshim votat e opozitës, të cilat janë të rrezikuara dhe të kërcënuara, por që do të jenë të paprekshme”, tha Meta.

“Por ata kanë për detyrë tani dhe po i paralajmëroj që të mbrojnë edhe votat siç do t’i japë populli, siç do t’i japin edhe votuesit socialistë për kandidatët e PS-së sepse pasi të përfundojë numërimi i mandateve për partitë, ekziston rreziku që opozita nga euforia e fitores dhe njerëzit e saj të nënvlerësojnë procesin tjetër që është shumë i rëndësishëm, edhe për standardin e zgjedhjes. Për herë të parë numërimi do të zgjasë më shumë se ç’duhet për shkak të numërimit të kandidatëve. Dhe së dyti sepse brenda PS-së, kam të gjitha informacionet, kandidatët kanë filluar tani luftën e madhe për të marrë votat e njëri-tjetrit, ngaqë e dinë se vendosja e emrave në listë ka qenë për qëllime të tjera dhe në këtë kuadër përgatiten aty për të kapur për të përpunuar njerëz të opozitës, me qëllim që këta të tolerojnë tek numërimi i votave të kandidatëve të PS-së. Kjo do të ishte gabim i rëndë dhe njësoj i dënueshëm edhe për komisionerët e opozitës edhe për numëruesit e opozitës. Çdo votë duhet të dalë siç e jep çdo qytetar i Shqipërisë, për çdo forcë politike nga 12 që janë aty dhe për çdo kandidatë brenda çdo force politike. Kjo është e vetmja rrugë që ne të shpëtojmë imazhin e këtyre zgjedhjeve”, tha Meta.

Meta u shpreh se i druhet lodhjes së komisionerëve, “se është një proces i lodhshëm, të rrish gjithë ditën, të rrish natën, të numërosh, të bësh, kërkon përqendrim, kërkon kujdes. Dhe ata që e kanë marrë përsipër këtë detyrë duhet ta kenë nivelin e përqendrimit 101 % deri sa të përfundojë gjithçka. Jo vetëm për partitë”. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.