SHBA – Uashingtoni rikthen sanksionet ndaj Bjellorusisë

UASHINGTON, 20 prill /ATSH-AFP/ – SHBA ka vendosur të rikthejë sanksionet për nëntë ndërmarrje shtetërore bjelloruse, si përgjigje ndaj shtypjes së protestave pro demokracisë.

“Në vazhdën e përpjekjeve për të kundërshtuar rizgjedhjen “mashtruese” të presidentit Alexander Lukashenko në gusht, ka më shumë se 340 të burgosur politikë aktualisht të arrestuar në Bjellorusi”, tha kreu i diplomacisë amerikane, Antony Blinken, në një deklaratë, duke bërë thirrje për t’i “liruar ata menjëherë dhe pa kushte”.

“Përballë përkeqësimit të mprehtë të situatës së të drejtave të njeriut në Bjellorusi, qeveria amerikane ka vendosur të parandalojë sërish çdo transaksion me këto nëntë kompani”, shtoi ai.

Sipas Blinken, këto kompani financojnë dhe mbështesin regjimin e Lukashenkos, duke lehtësuar dhunën ndaj popullit të Bjellorusisë dhe refuzimin e përsëritur të shtetit të së drejtës.

Uashingtoni tashmë kishte bërë thirrje për lirimin e të burgosurve politikë për të shmangur kthimin e sanksioneve.

Sipas vendimit të shpallur sot, ndalimi i transaksioneve do të hyjë në fuqi më 3 qershor./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.