Ndërtimi i porteve dhe aeroporteve/ Në 4-5 vitet e ardhshme ngjitemi në podiumin e kampionit të Ballkanit në turizëm

TIRANË, 15 prill/ATSH/ Ndërtimi i aeroporteve dhe porteve turistike në Shqipëri do na japin në 4-5 vitet e e ardhshme mundësinë që të fillojmë e të ngjitemi në podiumin e kampionit të Ballkanit në turizëm.

Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama gjatë takimit të zhvilluar me qytetarë Kamzës.

“Më thonë se kjo puna e aeroporteve është çmenduri si mund të ketë Shqipëria 4 aeroporte,  një vend kaq i vogël. Po Kroacia, ka 9 aeroporte ka 4 milionë banorë dhe është e shtata në botë për turizëm. Kroacia është ajo që është se është kampione në turizëm sepse përmes turizmit krijon punë për të gjithë brezat dhe përmes të ardhurave nga turizmi rrit mirëqenien për të gjitha familjet”, theksoi Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se, “ne në këtë mandat  do të hapim porta të reja për Shqipërinë nga deti dhe qielli, aeroporti i Kukësit është gati do të bëjmë edhe Vlorën edhe Sarandën. Do bëjmë portin e madh turistik të Durrësit, të Vlorës, të Sarandës që ka filluar dhe atë të Shëngjinit, si dhe dy porte të reja tregtare në Durrës dhe në Vlorë”.

Nuk janë program elektoral, vijoi Rama, nuk janë premtime janë informacion për ju, për plane pune për procese që janë nisur për procese që do na japin në 4-5 vitet e ardhshme mundësinë që të fillojmë e të ngjitemi në podiumin e kampionit të Ballkanit në turizëm.

“Ne kemi trefishuar hotelet në Shqipëri, numri i turistëve është rritur, por është ende shumë pak dhe sa më shumë do të vijnë aq më shumë do të kenë nevojë të vizitojnë, të ndalojnë, të hanë, të pinë, të blejnë”, – u shpreh Rama.

Kryeministri Rama tha se “Shqipëria të cilës Zoti i ka falur gjithçka që njerëzit e vet ta kenë diellin me vete në jetën e tyre ekonomike, por që robi nuk e ka lënë të ngrejë kokë dhe sa herë ka filluar të ngrejë kokë ia ka riulur kokën. Shqipëria do të bëhet e ardhmja jonë si vizion për 100 vjet, por realitet brenda kësaj dekade që kemi hyrë, por me punë jo me dokrra”.

/k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.