TIRANË, 14 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama tha se “do të ndërtojmë 4 aeroporte, që impaktojnë zhvillimin e ekonomisë së vendit”.
Gjatë takimit sot me banorë në Dibër, Rama tha se, “një aeroport e kemi, të dytin e kemi dhe e hapim për pak ditë, atë të Kukësit”.
“Ndërsa në atë të Tiranës, do të investojmë për ta zgjeruar pistën, sepse unë e kam thënë që me patjetër “Air Albania”, do të fluturojë përtej oqeanit dhe me patjetër fluturimet përtej oqeanit jo vetëm për “Air Albania”-n, por edhe për të tjerë, duhet të vijnë dhe të jenë direkte me Tiranën dhe këtë patjetër do ta bëjmë”, u shpreh Rama.
Eshtë një nga ato punë, vijoi ai, që është penguar gjatë periudhë së pandemisë, por goditjet janë për njerëzit dhe karakteri sprovohet pikërisht atëherë kur jeta bëhet më e vështirë.
“Në këtë provë karakteri që ne të gjithë si shqiptarë po e japim, duke u përballur me një tërmet të tmershëm dhe me një pandemi që gjunjëzoi botën, ne nuk kemi asnjë arsye pse t’i druhemi frikës, që kërkon vërtet në radhë të parë karakter për të bërë këto punë”, – theksoi Kryeministri.
Ai informoi se do të ndërtohet aeroporti i Vlorës dhe i Sarandës.
“Aeroporti i Vlorës, tani është në proces kontraktimi dhe e dini që është fituar gara nga Behgjet Pacolli, me një kompani tjetër të njohur dhe do të fillojë puna brenda pak kohe. Ndërsa për aeroportin e Sarandës do të fillojmë garën brenda pak kohe, pasi nuk donim që t’i nisnim pa i mbaruar njëra pas tjetrës proceset”, – theksoi ai.
Kryeministri bëri të ditur se porti i madh turistik i Durrësit është një projekt që e bën Durrësin një nga portat më të bukura të Mesdheut.
“Ky port është një investim 2 miliardë euro dhe është një projekt për të cilin është punuar në çdo detaj nga kompania e madhe EMAAR që ka edhe portin e Dubait dhe shumë porte të tjera dhe ambicia e tyre është që të bëjnë portin e Durrësit, portin më të madh të Mesdheut”, – tha Rama.
Sipas tij, ky port sjell më shumë njerëz nga ata që shpenzojnë më shumë dhe vijnë të njohin më shumë vendin tonë.
“Të vish në Durrës, patjetër që do të vish në Tiranë të shikosh kryeqytetin, por sot me Rrugën e Arbrit, Dibra është një pjesë e kryeqytetit. Nuk është më një vend në fund të botës që është i mrekullueshëm, por askush nuk do të merrte mundimin të shkonte. Ky port i shndërruar në një portë do të impaktojë të gjithë ekonominë”, – theksoi Rama.
Ai tha se porti turistik i Vlorës është një tjetër investim që do të fillojë së shpejti.
“Njëkohësisht me portin tregtar të Durrësit do të fillojmë investimin edhe në portin tregtar të Vlorës. Janë të gjitha investime që janë në proces dhe nuk janë plane”, tha ai.
“Të gjithë tani që unë flas shkruajnë ‘janë 3D’, por ju them se 3D shkruanit edhe për Rrugën e Arbrit, apo për aeroportin e Kukësit dhe hyrjen e re të Tiranës, apo Unazën e Tiranës. 3D ishin edhe shkollat që u ndërtuan pas tërmetit dhe janë shkolla të cilat edhe ata që janë bashkuar me ne për fazën tjetër, donatorët e BE-së më thonë që, nga këto shkolla edhe BE ka pak, sepse kur kam thënë që nga tërmeti do të ngrihemi më të fortë nuk ka qenë një parullë, por bindja që do të ngrihemi më të fortë”, – theksoi Rama.
/j.p/r.e/






















