Manastirliu: Kontratë për 50 mijë vaksina Sputnik V, dozat e para mbërrijnë brenda prillit

TIRANË, 14 prill/ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ka bërë me dije se Shqipëria ka siguruar 50 mijë doza të tjera të vaksinës ruse “Sputnik V”.

Në një intervistë televizive Manastirliu tha se falë marrëveshjes me distributorin “Human Vaccine”, brenda prillit do të vijë sasia e parë e këtyre vaksinave.

“Janë 50 mijë doza vaksine, të cilat vijnë sipas një kalendari të përcaktuar. Deri në fund të muajit prill pritet të vijë një pjesë e këtyre vaksinave”, tha Manastirliu.

Manastirliu tha se Komiteti i Vaksinimit nuk ka nxjerrë asnjë efekt anësor të rëndë për këtë vaksinë dhe procesi ka vijuar normalisht.

“Deri tani në vendin tonë në vendin tonë nuk kemi patur problematika në administrimin e vaksinës apo efekteve, apo shkak-pasojë që mund të sjellin këto vaksina, kështu që ne do të vazhdojmë të përdorim të gjitha vaksinat dhe do të monitorojmë të gjitha proceset në një mbrojtje sa më efektive”.

E pyetur për procesin e vaksinimit, Ministrja e Shëndetësisë thotë se me mbërritjen e dozave të tjera synohet që imunizimi i popullsisë të përfundojë më shpejt se pritshmëritë.

“Sa më shumë doza vaksine të vijnë, aq më shpejt do të vaksinohet dhe popullata dhe kjo padyshim është një ndër prioritetet tona sepse procesi i vaksinimit duhet të jetë i shpejtë, efektiv në mënyrë që popullata të mbrohet nga ky risk. Ne kemi arritur në mbi 280 mijë doza të vaksinave duke përfshirë këtu mbi 190 mijë vaksina për të moshuarit”.

Në vend procesi i vaksinimit ka zbritur tek grupmosha 60 vjeç me sëmundje kronike, ndërsa vijon paralelisht vaksinimi i kombinuar me grupet e rrezikuara. Deri në maj objektivi është që të kryhen 500 mijë vaksinime./k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.