Kupa e Shqipërisë/ Vllaznia – Skënderbeu finalja e madhe

TIRANË, 14 prill /ATSH/ Janë luajtur këtë të mërkurë dy ndeshjet e fazës gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë për edicionin 2020/21 që kanë përcaktuar edhe çiftin finalist.

Ndeshja më interesante u zhvillua në Shkodër, mes “Vllaznisë” dhe “Laçit”, me shkodranët që ia dolën të fitonin dhe të kalonin në finalen e madhe. Ardit Hoxhaj zhbllokoi rezultatin për “Vllazninë” në minutën e 22-të të takimit, duke dërguar saktë me kokë një top në portën e kurbinasve dhe duke i dhënë fitoren dhe biletën për në finale shkodranëve.

Gjysmëfinalja tjetër mes “Skënderbeut” dhe “Teutës” rezervoi surpriza. Korçarët ia dolën të eliminonin djemtë e detit në shtëpi me rezultatin 0-2. Sfida mes këtyre dy ekipeve u hap që në minutën e parë, me Meksin që kaloi në avantazh korçarët, duke shënuar saktë nga pika e bardhë e penalltisë. Në minutën e 44-t të takimit, Elvi Berisha dyfishon shifrat për korçarët, duke vulosur kështu edhe fitoren për Skënderbeut.

Finalja e madhe e Kupës së Shqipërisë për edicionin 2020/21 do të luhet mes “Vllaznisë” dhe “Skënderbeut” dhe do të jetë e dyta në historinë e këtij kompeticioni. Hera e parë kur këto ekipe janë përballur me njëra-tjetrën ka qenë në vitin 1965, ndeshje e fituar nga “Vllaznia”, me rezultatin 1-0. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.