Basha në Paskuqan: Ndryshimi është shpresa e të gjithë shqiptarëve

TIRANË, 14 prill /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka zhvilluar ditën e sotme takime me qytetarë të Paskuqanit, ku u prit nga banorë dhe simpatizantë.

Qytetarë votues tradicionalë të majtë që i bashkohen PD kishte edhe në këtë zonë të Tiranës, të cilët nuk ngurruan t’i shprehnin mbështetje Bashës në zgjedhjet e 25 prillit, njoftoi sot zyra për shtyp e PD.

Kreu i opozitës i garantoi se ndryshimi do të vijë për të gjithë shqiptarët pa dallim politik, pasi sipas tij, 8 vite vuajtje kanë qenë të njëjta si për demokratët, ashtu edhe për socialistët.

“Përgjegjësia tani është e njerëzve, për fëmijët tuaj dhe familjet tuaja dhe unë ju falënderoj! Së pari, besnikërinë më të parë e keni ndaj fëmijëve tuaj, besnikërinë e keni ndaj Shqipërisë. Unë të falënderoj nga zemra që i bashkohesh ndryshimit dhe të garantoj që nuk ta shpërdorojmë besimin e asnjë shqiptari, as socialistëve të ndershëm, se e di që mërzia juaj është dyfish më e madhe se ju e keni besuar, e keni votuar, keni shpresuar dhe jeni dyfish më të zhgënjyer. Do bëjmë gjithçka që jo vetëm të mos zhgënjeheni, por ndryshimi të vijë për të gjithë. Një popull, një familje, vëllezër dhe motra”, tha Basha.

“Kjo që do të ndodhë me 25 prill nuk bëhet as për PD-në as për PS-në, bëhet për ju, për familjet tuaja. Ju them shpesh dhe jua kam thënë në mbledhje edhe para fushatës demokratëve. Njësoj siç kanë vuajtur demokratët, kanë vuajtur edhe shumica dërrmuese e socialistëve të thjeshtë. Mos kujtoni se kanë festuar. Papunësi, emigracion, çmimin e naftës njësoj e paguajnë, shëndetësi në kolaps, ilaçet e pa rimbursuara, energjinë elektrike, fëmijët në emigracion. Njësoj e kanë pësuar këto 8 vjet edhe socialistët e ndershëm si demokratët dhe vuajtja na ka sjellë bashkë. Tani, le të na sjellë bashkë edhe zgjidhja edhe shpresa edhe ndryshimi”, u shpreh Basha.

Në fjalën përshëndetëse para banorëve të Paskuqanit, kryedemokrati tha se vota për numrin 9 më 25 prill do të thotë arsimim cilësor për fëmijët shqiptar, ndalimin e plagës së emigracionit, zgjimin e ekonomisë dhe hapjen e rrugës drejt Bashkimit Europian.

“Për tetë vite me radhë kam qenë në rrugët tuaja, në shtëpitë tuaja, në familjet tuaj dhe në sipërmarrjet e kësaj zone. Për tetë vite me radhë kam parë, e kam dëgjuar për vuajtjet dhe dhembjet e prindërve, për pamundësinë e fëmijëve të Paskuqanit. Kemi shkelur derë më derë me një përpjekje mbi njerëzore për ta mbajtur gjallë shpresën, për ti mbajtur këtu fëmijët tanë e fatkeqësisht tetë vite. Tetë vite të gjata, dimri më i gjatë politika që ka kaluar Shqipëria, e ka shkatërruar ekonominë tonë, i ka larguar të rinjtë në emigracion dhe tani po troket në derë me të vetmen ofertë që ky dimër tetëvjeçar të vazhdojë edhe katër vite të tjera”, theksoi Basha.

“25 prilli është dita për ta bërë ndryshimin realitet me votën tuaj. Ndryshim do të thotë integrim, hapjen e negociatave me Bashkimin Europian. Ashtu si hoqëm vizat për shqiptarët, ne do ta rihapim rrugën drejt Bashkimit Europian. Vota për ndryshim na bashkon të gjithëve si asnjëherë më parë, demokratë, aleancën për ndryshim dhe socialistë të zhgënjyer dyfish sepse ata e besuan dhe votuan dhe sot vuajnë njësoj  si të tjerët. Ndaj le ta bëjmë këtë bashkim të madh, një energji të pandalshme më 25 prill, sepse në 25 prill përgjegjësia e ndryshimit është në dorën tuaj”, tha Basha.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.