“Me Ramën nuk ka ndryshim”/ Basha në Kamëz: 8 vite dështime, më 25 prill votoni ndryshimin

TIRANË, 14 prill /ATSH/ Kreu i PD, Lulzim Basha është pritur me entuziazëm edhe nga qytetarë dhe të rinj të Kamzës.

Duke i falënderuar për mbështetjen e madhe që po i japin ndryshimit, Basha u bëri thirrje që energjinë e bashkimit ta çojnë në shtëpinë e çdo shqiptari që i ka humbur shpresa gjatë 8 viteve keqqeverisje.

“Të gjithë këtu jemi një familje. Një familje zemra e të cilës rreh me një qëllim, ndryshim më 25 prill. Një familje e ndryshme në përbërje, me nëna të vuajtura, me gjyshe të cilat kanë sakrifikuar gjithë jetën për një ditë të bardhë, me baballarë që janë rraskapitur, fermave e minierave për të rritur fëmijët e tyre, me të rinj të Kamzës që i shoh në dritë të syrit dhe nuk kanë asnjë dyshim, asnjë dyshim nga të rinjtë e të rejat e Europës. Me studente e studentë, të cilët kërkojnë mundësinë për të studiuar për t’u kualifikuar, për të punuar këtu pranë prindërve të tyre, pranë familjeve të tyre, me pensioniste e pensionistë që pasi paguajnë faturat e kripura të energjisë dhe në faturën e ilaçeve, s’u mbetet asnjë kacidhe në xhep”, tha Basha.

“Me mijëra familje të hequra padrejtësisht të ndihmës ekonomike, për racizëm dhe diskriminim politik. Me dhjetëra dhe mijëra familje të tjera të cilave nga ky shesh 8 vite më parë iu premtua legalizimi falas dhe u lanë në mëshirë të fatit e u braktisën pa pikën e përgjegjësisë nga dështimi që ju troket në derë për herë të tretë. 8 vite dështime, 8 vite papunësi, 8 vite përkeqësim, 8 vite në vendnumëro! Me premtimin e parë të 2013-ës se do të hapen negociatat, 8 vjet dështim dhe dështimi, fytyrën e të cilit e njihni fare mirë, po troket prapë në derën tuaj për të kërkuar edhe 4 vite”, u shpreh Basha.

“Ndryshim kërkon sot Shqipëria, ndryshim kërkojnë sot vogëlushët, ata që nuk votojnë dot më 25 prill. Ndaj, vota e 25 prillit për ju nëna e baballarë, është votë për të ardhmen e vogëlushëve tuaj, e fëmijëve të Kamzës dhe të gjithë Shqipërisë. Ndryshimi do të vijë, pas reve vjen dielli, vjen drita e diellit që po na ndriçon edhe sot këtë shesh si bekim i Zotit, si shenjë se ajo që është vullnet i juaji do të bëhet. Ndryshimi është në dorën tuaj. Është në dorën tuaj, është në votën tuaj. Nuk ka ndryshim pa larguar Edi Ramën! Nuk ka ndryshim pa hapur rrugën europiane të Shqipërisë dhe këtë mund ta bëjmë vetëm ne, vetëm Partia Demokratike, Aleanca për Ndryshim”, theksoi Basha.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.