TIRANË, 10 prill /ATSH/ Në sheshin e rikonstruktuar të Shirokës, në Shkodër, që është transformuar në një atraksion turistik, risitë dhe mundësitë për të bërë gjëra të bukura, tashmë nuk mungojnë asnjëherë.
Me iniciativën e Benet Becit, kandidat për deputet i PS-së, në Shkodër, janë organizuar një seri eventesh disa ditore me hashtagun “I love Shiroka”.
Një nga aktivitet e organizuara së fundi është edhe kinemaja e hapur.
Aktivitetet kanë nisur me video projeksionin e komedisë “Pallati 176”, ku të rinjtë shkodranë kanë kaluar 90 minuta me batuta e humor nën qiell të hapur.
Aktivitetet do të vijojnë për dy ditë të tjera. Sot pasdite me projeksionin e ndeshjes Laçi – Vllaznia, dhe në vijim me koncerte e projeksione filmash.
Gjithçka do të mbyllet me mesazhet e dërguara nga vetë të rinjtë me temën “Shkodra asht dashni”.
Secili nga të rinjtë do të mund të shkruajë një tekst ku shpreh dashurinë për qytetin e tij.
Tekstet do të publikohen në projektorin e madh në sheshin e Shirokës.























