FOTOGALERI/ Vaksinim intensiv antiCOVID në “Air Albania”

TIRANË, 10 prill /ATSH – B. Naska/-Fushata e vaksinimit anticovid vazhdon ende me të njëjtin intensitet sikurse ka nisur që në ditët e para të saj. Ende vazhdojnë që të vaksinohem mesatarisht rreth 1600 deri në 1700 qytetarë çdo ditë.

ATSH vëzhgoi nga afër procesin e vaksinimit në ambientet e stadiumit Kombëtar “Air Albania” ku vazhdon me intensitet edhe sot një pjesë e mirë e kategorive të ndryshme të profesioneve të cilat janë vlerësuar që në krye të herës si profesione me risk të larte për specifikën që ato paraqesin, duke qenë se janë profesione të cilat konsiderohen të tilla për shkak të kontakteve të ngushta dhe të vazhdueshme që ato kanë me qytetarët.

Si të tilla janë përzgjedhur edhe si profesione më të rrezikuara dhe që duhen trajtuar me shumë prioritet.

Drejtoresha e Operatorit të Kujdesit Shëndetësor rajonal të Tiranës, Valbona Doçi tha për ATSH se “vazhdon vaksinimi i stafeve mjekësore, farmacistëve, stomatologëve, efektivëve të policisë, gazetarëve dhe të moshuarve”.

Puna vazhdon me një rritëm të jashtëzakonshëm dhe interesi si i qytetarëve të thjeshtë por edhe punonjës të profesioneve të ndryshme vjen çdo ditë edhe më shumë në rritje për të marrë dhe përfituar këtë shërbim që po ofrohet falas nga shteti kundër pandemisë Covid-19.

Procesi i vaksinimit po kryhet sipas të gjithë parametrave të sigurisë dhe cilësisë nga ekipe të trajnuar vaksinatorësh në të gjithë vendin. Për ATSH ata shprehen se “kur mendojmë që i shërbejmë qytetarëve për t’i shpëtuar jetën nga pandemia dhe se interesi i qytetarëve është çdo ditë edhe më i lartë, kjo na jep më tepër kurajo dhe dëshirë për të vazhduar përpara në këtë proces të rëndësishëm”.

Në të njëjtën mënyrë shprehen edhe qytetarët si mjek, polic, pedagog etj, të cilët janë tejet të lumtur dhe falënderues ndaj shtetit që më në fund mbërriti edhe kjo ditë, që edhe në Shqipëri jo vetëm që filloj procesi i vaksinimit, por për disa prej tyre edhe po përfundon pasi po marrin edhe injeksionin e dytë  të vaksinës kundër Covid-19.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.