Ballina Aktualitet

Festa e Pashkës/ Mesazhe urimi për besimtarët katolikë

TIRANË, 4 prill/ATSH/ Përfaqësues të politikës uruan sot besimtarët katolikë me rastin e festës së Pashkës, duke theksuar se ditë të tilla duhet të shërbejnë për të ringjallur në secilin prej nesh tolerancën, dashurinë dhe respektin për njëri-tjetrin.

Basha: Kremtimi i Pashkëve shënon triumfin mbi të keqen

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u uroi sot Pashkët të gjithë besimtarëve katolikë.

“Kremtimi i Pashkëve shënon triumfin mbi të keqen dhe forcën e jashtëzakonshme të ringjalljes dhe dashurisë. Sot, kur si asnjëherë më parë jemi në udhëkryq, të gjithë së bashku le të gjejmë forcën për të kapërcyer çdo vështirësi me zemrat e mbushura me besim se aspiratat tona do të bëhen realitet”, tha Basha.
“Prandaj ju motra e vëllezër që po kaloni vështirësi shëndetësore, nëna dhe baballarë që sot jeni në pamundësi ekonomike, të rinj e të reja që mendoni emigrimin, mbushini zemrat tuaja me shpresë se ditë më të mira po vijnë. Zoti e bekoftë Shqipërinë! Për shumë vjet gëzuar!”, u shpreh Basha.

 

Veliaj: Të ringjallim tolerancën, dashurinë dhe respektin për njëri-tjetrin

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka uruar besimtarët e krishterë për festën e Pashkës, duke theksuar se ditë të tilla duhet të shërbejnë për të ringjallur në secilin prej nesh tolerancën, dashurinë dhe respektin për njëri-tjetrin.

“Gëzuar Pashkën të gjithë besimtarëve katolikë! Ky kremtim, le të ringjallë në secilin prej nesh tolerancën, dashurinë dhe respektin për njëri-tjetrin”, shprehet Veliaj.

Kushi: Bekimi dhe shpresa qofshin përherë në zemrën e çdo shqiptari

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi, uroi sot festën e Pashkës të gjithë besimtarëve katolikë.

“Bekimi dhe shpresa që sjell kjo Ditë e Shenjtë qofshin përherë në zemrën e çdo shqiptari! Paqe, shëndet e ditë më të mira për të gjithë”, – tha Kushi.

Kryemadhi: Pashkët e Ringjalljes dhe të çlirimit nga e keqja
Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi uroi Pashkët me lutjen për të ardhmen me zemër të mirë e të mbushur me gëzim për çdo shqiptar.
“Këto Pashkë që po kalojmë janë Pashkët e Ringjalljes dhe të çlirimit nga e keqja, që donte të pushtonte nëpërmjet kësaj situate pandemie dhe varfërie por që me ndihmën e Zotit, asnjëherë nuk do të fitojë.Për shumë vjet gëzuar! Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët!”, tha Kryemadhi.

/k.s/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakNë 70-vjetorin e tij, 10 kuriozite për kompjuterin e parë komercial
Artikulli tjetër“Gjumi është ngjitës”/ Rama publikon foton nga zyra elektorale e PD-së