Ballina Flash

Google 25 milionë euro për luftën ndaj dezinformimit

KALIFORNI, 1 prill /ATSH-DPA/ – Kompania Google deklaroi se do të kontribuojë me 25 milionë euro (29 milion dollarë) për të ndihmuar fillimin e Fondit Europian të Medias dhe Informacionit për të forcuar aftësitë e medias, për të luftuar dezinformimin dhe për të mbështetur kontrollimin e fakteve.

Fondi Europian i Medias dhe Informacionit menaxhohet nga fondacioni ”Calouste Gulbenkian” në partneritet me Institutin e Universitetit Europian.

Observatori Europian i Medias Digjitale do të veprojë si këshilltar i pavarur në formulimin e thirrjeve, si dhe në vlerësimin dhe përzgjedhjen e projekteve.

Fondi multi-donator do të ketë një kohëzgjatje fillestare prej pesë vjetësh, e cila mund të zgjatet.

“Ne sigurisht po vazhdojmë përpjekjet tona të tjera për të mbështetur arsimimin për të rinjtë, me ”Be Internet Legends” dhe ”Be Internet Citizens” që ofrojnë aftësi digjitale për të ndihmuar nxënësit e shkollës dhe adoleshentët të verifikojnë dhe kontrollojnë faktet”, tha Google në një deklaratë.

Google vuri në dukje se, në javët e ardhshme, fondi do të hapet për propozime nga akademikë, organizata jofitimprurëse dhe botues me seli në Bashkimin Europian, Islandë, Lihtenshtejn, Norvegji, Zvicër dhe Britaninë e Madhe./ /os/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakZyrtarizohet ndryshimi i emrit, Bashka Ura Vajgurore, tashmë merr emrin Dimal
Artikulli tjetërCOVID-19 – Suedia zgjat kufizimet me disa javë