Ballina Flash

“Shqipëria, mes dy vendeve të vetme në Ballkan që siguroi vaksinat”/ Po erdhën ata në pushtet harrojeni vaksinën

TIRANË, 31 mars /ATSH/ “Është shumë e rëndësishme, që ne ta fitojmë këtë betejë të madhe, këtë luftë të madhe botërore kundër këtij armiku të padukshëm dhe të dalim nga kjo histori me sukses dhe me faqe të bardhë dhe ta lëmë pas këtë tunel”.

Kështu u shpreh sot Kryeministri Edi Rama, gjatë Këndit të Fjalës në Shirokë, ku theksoi se “vaksinimi masiv na e jep këtë mundësi, por duhet ta çojmë deri në fund”.

“Shqipëria është i vetmi nga dy vendet e vetme në rajonin tonë në Ballkan, që siguroi vaksinat për të filluar vaksinimin masiv, ndërkohë që të tjerët janë akoma tek dozat simbolike. Si ndodhi kjo? Erdhën nga qielli dhe ranë në Shqipëri? Jo! Ishte këmbëngulja, durimi dhe puna ditë-natë që ne kemi bërë nga të katër anët. Si kujtoni ju, se po erdhën këta do të vazhdojë kjo njësoj? Harrojeni. Këta nuk dinë t’i bëjnë këto gjëra. Po të kishin ditur do t’i kishin bërë”, – tha Rama.

“Kanë 30 vjet, – vijoi ai, – që drejtojnë Shkodrën, po hajde më tregoni një vend, një shkollë që kanë ndërtuar si shkollat që po ndërtohen sot pas tërmetit. Më tregoni një shkollë, jo dhjetë. Më tregoni një qendër shëndetësore që kanë ndërtuar këta. Më tregoni një spital, asgjë nuk dinë. Eshtë mbledhur paaftësia dhe indiferenca ndaj njerëzve bashkë atje”.

“Ata dinë vetëm një gjë, dy gishtat dhe ‘Rama ik’. Dhe kur thonë ‘Rama ik’, nuk kanë faj, sepse e dinë se ndryshe nuk ia dalin dot. Ne nuk fitojmë dot, ndaj ik ti. Ne nuk të mundim dot, po ik ti. Rama ik! Po ku të iki? Pse? Se doni ju? Po për çfarë e doni ju, që të ktheheni dhe të përsërisni gjërat po njësoj?” – u shpreh Rama.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprak“Të jesh me PD-në e Lulit dhe të pretendosh që po mbron aristokracinë shkodrane”/ Ky është kulmi, PD tashmë s’ka as karakter
Artikulli tjetërMV – Fillon vaksinimi me AstraZeneca për të moshuarit