TIRANË, 31 mars/ATSH/ Produkti i Brendshëm Bruto pësoi një rënie prej 3.31 % gjatë vitit 2020, krahasaur me vitin 2019.
Instituti i Statistikave (INSTAT) publikoi sot një vlerësim paraprak të PBB-së për vitin 2020, i cili mbështetur në vlerësimet tremujore, pësoi një rënie prej 3.31 % krahasuar me vitin 2019.
Sipas INSTAT, Produkti i Brendshëm Bruto (P.B.B) në tremujorin e katërt të vitit 2020 vlerësohet me rritje prej 2.99 %, kundrejt tremujorit të katërt të vitit 2019.
Statistikat zyrtare të INSTAT për Produktin e Brendshëm Bruto dhe rritjen ekonomike gjatë vitit të shkuar 2020 tregojnë se goditja që ekonomia mori nga pandemia dhe recensioni i shkaktuar ishin në mënyrë domethënëse mjaft më të përmbajtura se sa pritshmëritë dhe shqetësimet fillestare.
Institucionet financiare ndërkombëtare parashikonin një rënie prej rreth 7 %, ndërsa Ministria e Financave dhe Ekonomisë parashikonte rënie prej rreth 4.5 %.
Kontribut pozitiv kanë dhënë ndërtimi me 1.84 pikë përqindje, administrata publike, arsimi dhe shëndetësia me 1.01 pikë përqindje, aktivitete të pasurive të paluajtshme me 0.52 pikë përqindje, industri, energji dhe uji me 0.49 pikë përqindje dhe aktivitete profesionale dhe shërbime administrative me 0.36 pikë përqindje, Aktivitete Financiare dhe të Sigurimit me +0.27 pikë përqindje, Informacioni dhe Komunikacioni me +0.24 pikë përqindje, Arte, argëtim dhe çlodhje; aktivitete të tjera shërbimi me +0.08 pikë përqindje.
Negativisht kontribuan aktivitetet në sektorët tregti, transport, akomodim dhe shërbim ushqimor me -0,96 pikë përqindje, bujqësi, pyje dhe peshkim me 0.49 pikë përqindje.
Po ashtu, taksat neto mbi produktet kontribuan negativisht me 0.37 pikë përqindje.
/a.a/r.e/























