TIRANË, 19 Mars/ATSH/ Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se shërbimet në zyrat e transportit rrugor që dikur merreshin edhe pas 7 javësh, sot merren brenda dite, me kosto minimale ose krejt zero.
Gjatë prezantimit të programit: Rruga drejt 25 prillit – Shërbimet për qytetarët dhe biznesin kryeministri tha se në shërbimin e transportit rrugor ka ndodhur një revolucion.
“Shërbimet e transportit janë një faqe krejt e re, sot, tani që flasim, jo nesër, por ende nuk ka përfunduar. Procesi i brendshëm, i cili është automatizuar i krejt punës për aplikimet online, për thjeshtim procedurash, për dixhitalizim të dosjeve fizike, për të parë nëse ekziston apo jo një leje drejtimi, direkt aty me një klik, jo “niset te drejtoria rajonale, prit përgjigjen”, u shpreh kryeministri.
Ai siguroi se procesi vazhdon.
“Megjithatë vazhdon. Nuk jemi të kënaqur ne që nëse dikur shërbimet merreshin pas dy javësh, tre javësh, katër javësh, shtatë javësh, sot merren brenda ditës me kosto minimale ose krejt zero. Që një leje drejtimi më përpara bëhej për 15 ditë, 20 ditë, 30 ditë, 40 ditë, dhe xhixhat, xhixhat tek ai Spahillari i famshëm, sot bëhet brenda ditës. Atëherë duhej dhe një vërtetim, 2 mijë lekë, pa kafen e LSI-së. Sot është zero”, deklaroi Rama.
Jemi në kushtet kur në këtë fushë, vijoi Kryeministri, mund ta plotësojmë të gjithë kuadrin pa humbur kohë, brenda mandatit të tretë. “Kujt do t’ia lini? Do ktheni prap Spahiun? Spahinjtë? Spahinjtë kanë qenë një çetë e veçantë e atyre ushtrive të Perandorisë që turreshin për të rrëmbyer edhe për të kapur majat dhe pushtuar kalatë”, tha ai.
/r.e/













