TIRANË, 19 mars /ATSH/ Jo vetëm Saranda, por edhe Finiqi ofron tani shërbimin me një qendër sociale ditore për grupet në nevojë.
Kreu i bashkisë së Finiqit, Kristo Kiço, tha për ATSH-në se kjo qendra sociale ditore është drejt përfundimit. Pothuajse të gjitha punimet në ndërtesën që u zgjodh për këtë shërbim në Finiq, janë drejt përfundimit.
Sipas Kiços, “në vijim synohet të vazhdohet me restaurimin e ndërtesave në Kulluricë dhe Theollogo për të krijuar një infrastrukturë për pritjen e këtyre grupeve dhe individëve në nevojë”.
Ky investim në Finiq, është realizuar me fondet e programit italian IADSA në shumën 26,000,000 lekë. Për krijimin e qendrës sociale ditore u shfrytëzua rehabilitimi i strukturës së ndërtesës se vjetër të shkollës fillore pranë Shën Thanasit.
Në këtë objekt u krijuan hapësira të përshtatshme për mikpritjen e njerëzve në nevojë.
Ndërkohë Shërbimi Social i bashkisë Finiq, ka përgatitur planin e funksionimit të qendrës, i cili do të zbatohet menjëherë, duke e plotësuar atë me stafin e duhur dhe infrastrukturën e nevojshme për funksionimin normal të saj tani e tutje.
“Kjo është qendra e parë e këtij lloji që do të ngrihet në zonën tonë dhe do të jetë një ambjent i ngrohtë për ata që kanë nevojë për kujdesin dhe mbrojtjen e institucioneve shoqërore, veçanërisht në këto kohë të vështira kur vetmia, izolimi dhe shumë probleme sociale përbëjnë përditshmërinë tonë”, vuri në dukje për ATSH-së, kryetari i bashkisë Finiq, Kristo Kiço.
e.xh/j.p/r.e/























