TIRANË, 11 mars /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, “ne do të fitojmë zgjedhjet dhe ne do të konfirmojmë minimalisht rezultatin e 2017-ës”.
I pyetur në një intervistë televizive për sondazhin e MRB-së, Rama tha se, “ne kemi objektivat, ne kemi strategjinë, ne kemi skuadrën, ne kemi edhe programin që do të realizojmë në 4 vitet e ardhshme dhe objektivat që kemi janë të shpallura. Ne do të arrijmë objektivat”.
“Sondazhet na tregojnë fitues, na tregojnë në avantazh. Ato sondazhe na tregojnë ne shumë më në avantazh seç ishim në vitin 2017 në zgjedhje. Po unë s’merrem me ato. Unë di që tani jemi zero me zero. Sepse rezultati arrihet kur të gjitha votat shkojnë në kuti dhe numërohen”, u shpreh Rama.
Rama tha se nuk ka asnjë sondazh që tregon bashkimin e PD dhe LSI më lart se PS.
“Nuk ka asnjë sondazh tjetër që nxjerr bashkimin e forcave të tjera më lart se ne”, tha Rama.
“Ne do të fitojmë zgjedhjet dhe ne do të konfirmojmë minimalisht rezultatin e 2017-ës. Objektivi minimal”, tha Rama. /j.p/r.e/












