“Lulzim Basha është thjesht dhëndrri i këtij tabori krushqish”/ Në 13 të parët në Tiranë, PD i ka gjysmat personazhe humoristike

TIRANË, 11 mars /ATSH – I. Vata/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se i vinte turp që PD i ofron Tiranës në 2021 Sali Berishën.

Në lidhje me kritikat për kandidatët e opozitës, Rama tha se kjo është satirë përmes së cilës ti zbërthen personazhet, sepse është e përputhur me personazhet.

“Që Agron Duka ka numrin më të madh të pulave, të vezëve dhe të zogjve në Shqipëri nuk është akuzë. Nuk ka fyerje, unë thjesht kam ekspozuar disa personazhe që lidhen me disa fenomene dhe është satirë politike”, tha Rama.

“Këto janë personazhe, se po të vihet re Lulzim Bashën se kam fare aty, plot të tjerë aty që mund të mos kem mendim pozitiv nuk janë aty, që janë më të rëndësishëm se Grida, por këto janë personazhe tipike konglomerati që është një turp që t’i ofrohet shqiptarëve në vitin 2021. U tha këtu se e kam pasur Vangjel Dulen aleat, po, është e vërtetë. E kam pasur aleat në vitin 2009. Problemi është çfarë ka bërë Vangjel Dule nga 2009-a deri 2021. Dhe ka një arsye që Vangjel Dule në 2009 votohej nga minoriteti, sot është një person që minoriteti nuk e sheh dot me sy dhe e sjell në Tiranë. Është e vërtetë që Shpëtim Idrizin unë e kam pasur në parti dhe është e vërtetë që Shpëtim Idrizit i kam kërkuar gjatë mandatit të parë që të mbështesë reformat, por Shpëtim Idrizi sot rishfaqet, për çfarë arsye, si mund të jetë Shpëtim Idrizi dhe Mesila Doda një çift që i jepet Tiranës nga Partia Demokratike. Domethënë se PD në 13 të parët, gjysmat i ka personazhe humoristike, dhe thoni pse bën humor”, tha ai.

Duke shpjeguar pse bën satirë me kandidatët, Rama tha e bën se i vjen turp kur mendon se alternativa jonë mund të jetë kjo në vitin 2021. “Më duket një gjë e pamundur dhe s’e kam besuar kurrë që PD t’i ofrojë Tiranës Sali Berishën, në 2021″, theksoi ai.

Në lidhje me mendimin se në politikë në moshë është Joe Biden, Rama tha se “Sali Berisha nuk është Biden”.

“Sali Berisha përfaqëson gjithçka që PD nuk duhet të përfaqësojë sot për t’u bërë alternativë e së ardhmes, dhe prania e Sali Berishës aty, tregon se është Sali Berisha që drejton Partinë Demokratike dhe nuk është Lulzim Basha. Lulzim Basha është thjesht dhëndrri i këtij tabori krushqish. Pastaj, Dash Shehi, ka qenë në ’92, por s’kanë demokratë në Tiranë të rinj, të reja, figurë të tjera. Dash Shehin, çfarë sjell ky si alternativë, faqoren e rakisë. Pastaj Vangjel Dule në Tiranë po për çfarë?!”, tha ai.

Rama shtoi se të gjithë pjesëtarët e skuadrës së PS në Tiranë dhe të gjithë Shqipërinë, kanë një arsye pse janë aty.

“Sepse, Nasip Naço nuk është as Ilir Meta, nuk është as Monika Kryemadhi, nuk është as llumi i LSI-së. Unë më Naçon kam punuar, ka qenë Ministër i Drejtësisë me mua. E kam njohur në punë dhe mund të them se në të gjitha marrëdhëniet e mia me të nuk ka pasur asnjë cedim nga korrektesa e marrëdhënieve mes Kryeministrit dhe Ministrit të Drejtësisë. Dhe është një person serioz dhe unë e kam thënë me kohë që PS nuk mund të rri e mbyllur brenda mureve të veta dhe jua kam dhënë mesazhin të gjithë organizatave tona. Hapni dyert e partisë, kushdo qoftë që ka dëshirë të vijë me ne, ka qenë me këtë ka qenë me atë s’ka rëndësi. Mund të vijnë me ne, mund të përqafojnë rrugën tonë dhe secili në rrugën e vet. Ylli Shehu është një person që përfaqëson një komunitet të tërë kuksian, i cili ka patur votat e tij. Ndryshimi mes Ylli Shehut dhe Dash Shehit është se kur Dash Shehi ka pirë liqenin e parë të rakisë, Ylli Shehu ka lindur”. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.