“PS e ka në ADN ndryshimin”/ I vetmi rast ndesh me dekriminalizimin, deri tani kandidati i PD-së në Shijak

TIRANË, 11 mars/ATSH-Maela Marini/ “Partia Socialiste ka lindur nga vetë ndryshimi, e ka në ADN-në e vet ndryshimin dhe unë jam shumë i vëmendshëm të dëgjoj pulsin e shoqërisë, se çfarë kërkojnë njerëzit”.

Kështu u shpreh sot kryeministri Edi Rama, i ftuar në një studio televizive, ku komentoi parimin bazë mbi të cilin është ndërtuar lista e kandidatëve të PS-së për zgjedhjet e 25 prillit.

Rama tha se “njerëzit nuk kanë nevojë për po ato medalje, po ato fytyra, sepse partia nuk është stendë muzeu. Kontributet në historinë e partisë janë në libra, arkiva. Politika është sot, çfarë sjell sot. Çfarë bëre dje e bëre dje, iku. Nuk është PS vetëm grupi parlamentar, është shumë më e gjerë se kaq. Vasilika Hysi është një nga autoret e Reformës në Drejtësi, do të jetë në fushatë, Gjermeni po ashtu. Kandidatja e parë në listë për Shkodrën është yll, nga pikëpamja e punës, marrëdhënies me qytetin, vetë aktivizmit të saj. Si mund të hyjë ajo në një proces të tillë duke i thënë shko anëtarësohu në organizatë, kur organizata nuk do t’ia dijë fare?”.

Ai theksoi se “partitë politike që nuk reflektojnë shoqërinë, që nuk gjejnë rrugë të çajnë muret e vetvetes janë të mbaruara”.

Ndërsa i konsideroi qesharake listat e PD-së, Rama tha se, “kjo ka lidhje me fosilizimin e PD-së. PD është e fosilizuar. Ka një dhëndër dhe nuk po merrem me të se si erdhi puna ai po del më i pranueshmi. Ai është aty i vendosur nga Sali Berisha. Është Sali Berisha dhe Ilir Meta me turne që lëvizin duart dhe gojën e tij. Ai është peng atje, është një peng”.

Ndërkohë, ai theksoi se “Rilindja dhe PS nuk janë dy gjëra. Rilindja është një vizion. Rilindja shqiptare është një vizion nuk është parti dhe ripërtëritja e PS-së është pjesë e këtij vizioni, por nuk është diçka që e kam sjellë unë në PS. Forcën e vetë ndryshimit e ka sjellë në PS momenti i parë i lindjes së saj. Ka qenë një moment dramatik dhe një grup njerëzish gjetën forcën të vetëndryshojnë, ta rilindin politikisht atë familje duke e çuar në një stad tjetër. Fatos Nano e kishte pikë referimi. Ishte Fatos Nano që më afroi. Ka qenë një trend që e kam thelluar, sepse besoj shumë që PS është e destinuar ose të vetëndryshojë në mënyrë të vazhdueshme dhe të mos ketë mure, ose do të jetë e destinuar të shkrihet, të mbarojë”.

Rama tha se përzgjedhja e kandidatëve në listë ka lidhje me skuadrën. “Pse një skuadër që shkon në ndeshje në momente të caktuara lë në stol një lojtar? Se atë e di trajneri, ekipi që drejton. Skuadra vlerësohet për të luajtur e fituar atë ndeshje”, tha Rama.

Lidhur me pastërtinë e kandidatëve, Rama tha se Ambasada amerikane ka bërë gjënë e  duhur në sjelljen në vëmendje të të gjithëve të nevojës për të shkuar më përpara në këtë proces. “Më rezulton se i vetmi rast deri tani është një rast i PD-së, në Shijak”, tha Rama.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.