TIRANË, 9 mars/ATSH/ Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli e konsideron vlerë të shtuar kandidimin për deputete në listat e Partisë Socialiste të drejtueses së Spitalit Infektiv, Najada Çomo.
“Najada Çomo në listat e PS-së është patjetër një vlerë e shtuar gjë që e ka treguar me vëmendjen dhe përkushtimin e saj gjatë pandemisë. Është një grua me integritet, një grua që ka vite që punon në mjekësi dhe ka integritet të formuar prej vitesh”, u shpreh Rakacolli.
Rakacolli u ndal edhe në situatën e pandemisë në vend përgjatë një viti dhe faktorëve që çuan në shtimin e rasteve të të prekurve përgjatë muajit shkurt.
“Rritja e rasteve në muajin shkurt është e lidhur me shumë faktorë, si moszbatimi i masave në festat e fundvitit, por edhe me dyshimet e forta të shfaqjes së formave të reja të virusit të Sars-Cov-2 që kanë nivel më të lartë infektimi se varianti i parë”, u shpreh Rakacolli.
Rakacolli tha se kjo mbështetet në dyshimet e forta klinike nga mjekët specialistë, ndërsa informoi se për të konfirmuar zyrtarisht këtë janë në pritje të përgjigjeve të mostrave që janë dërguar për analizim në vendet e huaja.
Variantet e reja, vuri në dukje ajo, mund të luftohen me të njëjtat masa si me variantin e parë, me masa kufizuese apo dhe vaksinim.
“Lajmi i mirë është se edhe për këto viruse mendohet se vaksina jep mbrojtje dhe procesi i vaksinimit mendojmë se do të jetë një zgjidhje e këtij problemi”, deklaroi zv.ministrja.
Lidhur me mundësinë e rritjes së infektimeve gjatë procesit zgjedhor, Rakacolli u shpreh se nëse qytetarët respektojnë me përpikëri masat, atëherë kjo mund të mënjanohet. /j.p/r.e/












