UASHINGTON – Powell: SHBA nuk do të kthehet në nivelet e punësimit të plotë në 2021

UASHINGTON, 4 mars /ATSH-AFP/ – Presidenti i Bankës Qendrore Amerikane (FED), Jerome Powell paralajmëroi sot se SHBA nuk do të arrijë nivelet e punësimit të plotë në vitin 2021, me gjithë optimizmin e gjeneruar nga fushata e vaksinimit dhe plani i stimulimit i presidentit Joe Biden.

“Unë mendoj se nuk ka shumë gjasa që ne të arrijmë në punësim të plotë këtë vit, mendoj se do të duhet kohë për të arritur atje”, tha Powell në një konferencë virtuale të organizuar nga “The Wall Street Journal”.

“Vaksinimi i kryer në SHBA dhe triliona dollarët e planit të rimëkëmbjes së Joe Biden, që do t’i shtohen ndihmës së mëparshme financiare, bëjnë që të parashikohet një mini bum ekonomik nga pranvera”, shtoi ai.

Konsumi pritet të rritet sërish dhe situata e punësimit të përmirësohet.

Çmimet priten, gjithashtu të rriten, madje duke rritur frikën e një kthimi në inflacionin shumë të lartë, por që mungon në peizazhin amerikan prej një çerek shekulli.

Sidoqoftë, Powell, edhe njëherë, i largoi këto shqetësime, duke treguar se “ekziston një ndryshim midis një rritjeje të përpiktë të çmimve dhe një inflacioni që rritet tepër shpejt (…) vit pas viti”./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.