Ndryshimet në buxhetin e vitit 2021/ Denaj: Ruhen parametrat makrofiskalë

TIRANË, 1 mars/ATSH/ Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj deklaroi sot se ndryshimet në buxhetin e vitit 2021 sigurojnë shpenzimet prioritare për KQZ-në për një proces zgjedhor modern, transparent dhe demokratik.

Këto shpenzime sipas saj, do të sigurohen nga një rritje e balancuar e të ardhurave nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, duke siguruar kështu ruajtjen të pandryshuar të parametrave kyç makrofiskalë, deficit buxhetor dhe borxhit publik, duke mbajtur perspektivën pozitive në rimëkëmbjen e ekonomisë gjatë vitit.

“Me buxhetin 2021 filluam një rrugëtim drejt rimëkëmbjes dhe ringritjes së ekonomisë dhe të shqiptarëve. Bëmë Tatimin mbi Fitimin zero për të gjitha bizneset e vogla, rritëm fashën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, ku vetëm bizneset me xhiro vjetore mbi 10 milionë lekë paguajnë TVSH, vendosëm pagën minimale 30 mijë lekë, çuam në 7.2 % të PBB-së investime publike, si dhe siguruam ndihmë ekonomike të dyfishuar për të gjitha familjet në nevojë”, tha ministrja.

Denaj vuri në dukje se me buxhetin 2021 filluam gjithashtu një proces vaksinimi, duke synuar jo vetëm ruajtjen e jetës së qytetarëve, por edhe ringritjen e ekonomisë.

Në të njëjtën kohë, tha Denaj, ky është një vit zgjedhor, i cili përtej pandemisë e rimëkëmbjes ekonomike, kërkon krijimin e të gjitha kushteve të nevojshme për një proces zgjedhor modern, transparent dhe demokratik.

“Ndryshimet përmes këtij Akti Normativ janë të lidhura ngushtë me procesin e zgjedhjeve të përgjithshme dhe me angazhimet dhe shpenzimet që burojnë prej tyre, sidomos në zbatim të Kodit të ri Zgjedhor të miratuar së fundmi. Pikërisht nën këtë fokus, një nga shtyllat kryesore të reformës zgjedhore në terma të mirëmenaxhimit të procesit të votimit, është edhe angazhimi maksimal për implementimin e projektit madhor me rëndësi sensitive për identifikimin elektronik të zgjedhësve”, u shpreh ministrja.

Nisur nga rëndësia madhore e projektit në fjalë, Denaj u shpreh se KQZ e ka të pamundur financimin nga buxheti i tij i miratuar për vitin 2021, ndaj rishikimi i buxhetit është shndërruar në domosdoshmëri.

Ajo deklaroi se ky akt normativ përcakton disa ndryshime apo riorientime të zërave buxhetorë, pa kosto shtesë.

Në investimet e brendshme, Denaj tha se është akomoduar fondi shtesë prej 2.42 miliardë lekë në programin përkatës të KQZ-së, për financimin e projektit të identifikimit elektronik të zgjedhësve.

Në fondin rezervë të Këshillit të Ministrave është reflektuar një rritje e tij prej 1 miliard lekësh, në kuadër të shpenzimeve eventuale shtesë që mund të burojnë nga implementimi i përcaktimeve të Kodit të Ri Zgjedhor (shpenzime shtesë të natyrës organizative, financimi i partive, etj.), si edhe për shpenzime të tjera eventuale të qeverisë, pas zgjedhore.
Por edhe evente të natyrës së paparashikuar të cilat nuk mund t’i lihen rastësisë apo të pafinancuara në kohën e pandemisë.

Në të ardhurat tatimore, Denaj tha se është reflektuar rritja e tyre në të njëjtën vlerë, pra 3.42 miliardë lekë, përkatësisht në zërin e tatimit mbi vlerën e shtuar (TVSH), me qëllim balancimin e rritjes së shpenzimeve të sipërcituara.

“Pandemia COVID-19, pati një efekt të pashmangshëm në rënien ë konsumit dhe parametrat fiskalë dhe buxhetorë. Megjithatë, pritshmëria për ecurinë e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar parashikohet e mjaftueshme për të suportuar rritjen e nivelit të planifikuar të saj për vitin 2021”, u shpreh ministrja.

Në Aktin e fundit Normativ të Buxhetit të vitit 2020 u mundësua një financim shtesë, në masën 673 milionë lekë, për mbarëvajtjen e plotë të zgjedhjeve të vitit 2021 në dy projekte prioritare të KQZ, përkatësisht: “Projektin e Identifikimit Elektronik të Zgjedhësve” dhe “Projektin pilot të Votimit dhe Numërimit Elektronik”. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.