Ballina Flash

Vasili: Ditë kritike të pandemisë, strategji tërësisht e gabuar

TIRANË, 18 shkurt /ATSH/ Nënkryetari i LSI, Petrit Vasili, u shpreh sot në një deklaratë për mediet se kryeministri Edi Rama po përdor pandeminë për fushatë, jo për të shpëtuar jetët e qytetarëve.

“Në këto ditë vërtet kritike për zhvillimin e pandemisë, të gjithë kanë qenë me sy e veshë për të kuptuar se ç’do të bëjë më në fund qeveria, do të lëvizë gishtin, a do të ikë nga kjo strategji tërësisht e gabuar dhe e dështuar për përballimin e saj, pasi dhjetëra jetë njerëzish po humbasin e mijëra, e mijëra të tjerë vazhdojnë të infektohen”, tha Vasili.

“Shqiptarët duhet ta kuptojnë që përballë kanë një pandemi, e cila është në duart më të këqija të mundshme, e cila është një histori dështimi tragjik, nga fillimi deri në fund, ku të gjitha masat shtrënguese nuk kanë krijuar asnjë ulje për pandeminë, por kanë krijuar një rritje të jashtëzakonshme e të pandalshme të saj, ku viktimat rriten”, theksoi Vasili.

Sipas tij, “me talljen dhe me mashtrimin e trastave me vaksina, Edi Rama po ofendon të gjithë shqiptarët”.

“Ky është shpërdorim i poshtër politik i pandemisë në dëm të shëndetit dhe të jetës së njerëzve”, tha Vasili.

Prandaj, nënvizoi ai, “25 prilli është dita e shpëtimit për çdo shqiptar e për çdo familje shqiptare, e për tërë Shqipërinë në tërësi”. /j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakStatistikat e Superiores/ Trajnerët preferojnë më shumë skemën e mbrojtjes me 4 lojtarë
Artikulli tjetërPandemia i ndaloi punën me lokalin/ Blerim Xhepa iu përshtat tregut, ndryshoi llojin e biznesit