TIRANË, 16 shkurt /ATSH – I. Vata/ Sekretari për Çështjet Zgjedhore në PD, Ivi Kaso ka reaguar kundër vendimit të KAS i cili në mbledhjen e sotme vendosi shfuqizimin e gjobave ndaj kryebashkiakut Veliaj.
Në reagimin e tij, Kaso shprehet se Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) humbi sot mundësinë për të qenë një strukturë në funksion të garantimit të zgjedhjeve të lira e të ndershme.
“Sot me një vendimmarrje të paprecedent, 3 anëtarët e KAS kanë shkelur rëndë besimin se mbi interesin e partisë në pushtet qëndron ligji dhe vetë rregullat e sanksionuara nga KQZ. Vendimet antiligjore të 3 anëtarëve të KAS bien ndesh me standardin e OSBE për ndarjen e shtetit nga partia, duke justifikuar përdorimin e funksionit publik nga Erjon Veliaj për interesa të Partisë Socialiste”, tha ai.
Po ashtu, Kaso tha se, “Partia Demokratike dënon këtë akt të paligjshëm të 3 anëtarëve të KAS, që cenon rëndë standardet e barazisë së palëve në zgjedhje”. /j.p/r.e/






















