TIRANË, 15 shkurt /ATSH/ Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa deklaroi sot se qeveria dështoi me mirëmbajtjen e rrugëve.
“Qeveria në ikje e Edi Ramës e ka lënë vendin në mëshirë të fatit. Qeveria nuk është askund për të ndihmuar njerëzit as kur bie tërmet, as kur është pandemi, as kur ka mot të vështirë, siç ndodhi dy ditët e fundit”, tha Zhupa.
Sipas saj, “megjithëse të gjithë e dinin se do të kishte stuhi dëbore, nuk u mor asnjë masë. Me miliona euro që Edi Rama i jep çdo vit për oligarkët për gjoja mirëmbajtjen e rrugëve, nuk u përdorën për t’u ardhur në ndihmë njerëzve”.
“Kjo qeveri i la njerëzit në baltë, sepse prioriteti i saj është të vjedhë bashkë me klientët e kryeministrit, edhe në mirëmbajtjen e rrugëve”, tha Zhupa.
“Bllokimi total i rrugëve për më shumë se 48 orë tregoi qartë dështimin e Edi Ramës. E njëjta dëborë ra edhe në Kosovë, edhe në Maqedoni, por atje nuk u bllokuan rrugët dhe qytetarët kanë energji elektrike”, tha Zhupa.
Sot që flasim, shtoi ajo, “me mijëra banorë nuk kanë ende energji elektrike, jo më larg se 50 kilometra nga Tirana. Banorët e Laçit, për shembull, janë prej shumë orësh pa energji elektrike në të ftohtë dhe acar. As Belinda Balluku, as Edi Rama nuk do që t’ia dijë për ta”.
“Edi Rama nuk ka asnjë zgjidhje për vendin. Ai ka vetëm propagandë. E ka lënë vendin të fundit për gjithçka, por shqiptarët nuk e meritojnë këtë keqtrajtim dhe prapambetje. Faturën e dështimit të tij, Edi Rama do ta marrë në 25 prill. Ne do të sjellim ndryshimin në Shqipëri. Më 25 prill Rama do të humbasë dhe Shqipëria do të fitojë”, përfundoi Zhupa. /a.a/r.e/























