TIRANË, 15 shkurt/ATSH/ Kryeministri Edi Rama konfirmoi se, “sot nis me 7020 doza lëvrimi i përjavshëm i vaksinës antikovid nga kontrata me ‘Pfizer’ dhe intensifikimi i planit të vaksinimit, ndërkohë që jemi shumë pranë sigurimit të një sasie dozash të konsiderueshme nga vaksina ‘AstraZeneca'”.
Rama tha po ashtu se, “aktivizohet sot skenari i parë i përfshirjes së spitaleve rajonale për përballimin e nevojës për shtrime në spital, ndërkohë që respektimi i masave kufizuese në fuqi mbetet domosdoshmëri deri në afatin e përcaktuar nga Komiteti Teknik”.
“Mbi 90 mijë teste të shpejta janë kryer në 54 pikat e testimit në komunitet, përveç testit PCR, ndërkohë që vijon intensifikimi i përpjekjeve në terren për të këputur hallka të zinxhirit të infektimeve”, tha Kryeministri.
“Zotimet e atyre që thonë se vaksinat do i sigurojnë në mbledhjet e partive simotra apo që drejtojnë gishtin e akuzës ndaj qeverisë, ndërkohë që Shqipëria është një nga dy vendet e vetme në rajon që ka siguruar nisjen e vaksinimit, janë një arsye për ta neveritur politikën e futjakotësisë”, theksoi ai. /m.m//a.a/r.e/























