TIRANË, 14 shkurt /ATSH – I. Vata/ Kryetari i bashkisë Kukës, Safet Gjici ka denoncuar sot shkeljen e protokollit të masave antiCOVID nga PD në qarkun Kukës.
Në denoncimin e tij, Gjici shprehet se Flamuri i vogël i tavolinës vijon takimet, duke thyer protokollin e shëndetësisë, dhe duke rrezikuar jetën e shumë banorëve.
“Prej shumë ditësh, takimet e tij janë duke u zhvilluar në këtë mënyrë, duke u kthyer në një rrezik për përhapjen e COVID-19. Pjesë e mos sigurisë si dhe të përhapjes më tej të këtij virusi, ishin dhe një grup të rinjsh, të cilët qëndronin pa maska dhe ulur shumë pranë njëri-tjetrit. I them Flamurit të vogël, sa rri duke u marrë me punët që po bën qeveria në gjithë Qarkun e Kukësit, apo dhe me punën që po bën stafi i bashkisë, duke qëndruar prej ditësh në terren, me qëllimin për të siguruar një lëvizje normale të njerëzve dhe automjeteve, si në qytet ashtu edhe në Njësitë e Bashkisë Kukës, sidomos në situatën ku ndodhet i gjithë njerëzimi, të tregoj më shumë kujdes me shëndetin e komunitetit sepse po kthehet në një rrezik për të gjithë”, shprehet ai.
Po ashtu, Gjici shton se “ekipi i emergjencave është në terren që prej ditës së parë, kur ka filluar dimri, e për këtë duhen falenderuar, sepse duke rrezikuar jetën po shpëtojnë banorët.
“I kujtoj Las Arif, por dhe Flamurit të vogël, që bashkinë e mora me një fadromë, e cila as për qytetin nuk mjaftonte, e ndërsa sot janë 8-të tilla, për t’iu përgjigjur komunitetit në gjithë territorin e Kukësit. Po, ju kuptoj drejt, akoma “vijoni të jeni në gjumë”, me gjasë do jetë shumë gjatë, pasi ne jemi njerëzit e punës e të veprave, jo të fjalëve e të gjumit”, tha Gjici.























